Wednesday, January 26, 2022

Zgjedhja e kryesuesit të Asamblesë në Prishtinë – gjithçka çfarë ndodhi nga procesi i votimit për Fehmi Kupinën e LDK-së


Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur sot mbledhje ku në rend dite ishte zgjedhja e kryesuesit të Asamblesë.

Pak para nisjes së kësaj mbledhje Telegrafi raportoi për marrëveshjen për bashkëqeverisje të arritur në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkaq ende nuk janë bërë të ditura detajet e kësaj marrëveshje, dhe se kush me cilat drejtori do të udhëheq.

Fehmi Kupina- Kryesues i Asamblesë Komunale në Prishtinë/ Foto: Ridvan Slivova

Me të nisur seanca e Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina nga LDK, ishte i propozuari i vetëm për kryesues, ku arriti të marrë këtë post në raundin e tretë të votimit.

Të drejtën e poropozimit të një kandidati për kryesues e kishin të gjitha subjektet politike që janë pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, por të njëjtit vendosën të mos e bëjnë një gjë të tillë.

Lëvizja Vetëvendosje tha se heq dorë nga kjo e drejtë, dhe se pavarësisht kësaj do të qëndrojnë në sallë për të bërë kourumin e mundshëm.

Përparim Rama, Kryetar i Prishtinës/ Foto: Ridvan Slivova

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama duke mos përmendur emra të partive me të cilat do të formojë shumicën në Kuvend, ka thënë se “ekziston energji pozitive për ta zgjedhur kryesuesin”.

“I kam ftuar të gjithë të bashkëqeverisim dhe jemi në proces. Jemi në proces dhe do ta merrni vesh shumë shpejt. Jemi të përafruar me të gjithë. Është energji pozitive, e mirë, e marrëveshjes. Ta krijojmë shumicën për të mirën e qytetarëve. T’i ndajmë përgjegjësitë për të mirën e qytetarëve të Prishtinës. T’i shtyjmë proceset përpara”, ka thënë Rama.

Në raundin e parë të votimit, Fehmi Kupina mori 25 vota nga 25 asamblistë sa morën pjesë në votim. Si rrjedhojë nuk kishte vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur pasi që duheshin 26 vota pro nga 51 asamblesitë sa ka gjithsejtë Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Në votim morën pjesë 14 asamblistët e LDK-së, nëntë të PDK-së dhe nga një i Nismës dhe Lëvizjes për Bashkim. Në sallë qëndruan por s’votuan asamblistët e VV-së, ndërsa ata të AAK-së dhe AKR-së lëshuan sallën.

Edhe në raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e kryesuesit të Asamblesë së Komunës së Prishtinës, sërish Kupina nuk arriti të zgjedhej, pasi që sërish kishte vetëm 25 vota.

Fehmi Kupina i LDK-së u zgjedh kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës me 25 vota pro në raundin e tretë, duke marrë edhe përkrahjen e nëntë asamblistëve të PDK-së dhe nga një të Nismës e Lëvizjes për Bashkim. Në rundin e tretë mjaftuan votat e shumicës së atyre që votuan.

Pas marrjes së postit, Kupina u zotua për punë e përgjegjësi.

“Plani ynë është i qartë. Qytetari i Prishtinës do të jetë kryefjala e çdo zhvillimi. Bashkë do t’i zgjedhim projektet e do t’i mbikëqyrim bashkë. Bashkë do t’i gëzojmë”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK