Tuesday, June 28, 2022

Viktimat e krimit në vendet e rajonit kompensohen deri në 1 milion euro, në Kosovë deri në 7 mijë


Vrasja, trafikimi me njerëz, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve dhe rastet e dhunës në familje, hyjnë në kategorinë e veprave të kompensueshme nga shteti, sipas Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Ndërkaq, viktimat e këtyre rasteve në Kosovë mund të marin kompensim në vlerën maksimale deri në 7 mijë euro.

Gjatë vitit të kaluar në Kosovë për 28 personat që ishin viktimë e krimit janë dhënë për kompensimin pak më shumë se 100 mijë euro.

Kjo nga avokatë po vlerësohet si shumë jashtëzakonisht e ulët, duke përmendur se në rajon, për raste të caktuara kompensimi shkon deri në miliona euro.

Avokati Skënder Musa ka thënë se këto shifra janë të vogla.

Musa ka treguar për një rast që kishte mbrojtur, kur familjes së viktimës nga një vrasje e rëndë i ishte propozuar kompensimi me vetëm 3 mijë euro.

Avokat Skënder Musa

“Shuma që i është ofruar është jashtëzakonisht e vogël për shkak se në shtetet e rajonit në veprat penale të vrasjeve dhe vrasjeve të rënda, zakonisht kalojnë shifrat mbi 100 mijë euro e madje shkojnë edhe deri në 1 milion euro, për shkak se në këtë rast edhe vet shteti e humb vlerën më të mbrojtur, sepse për shtetin vlera kryesore e mbrojtur është jeta e qytetarit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Musa.

Sipas nenit 6 të Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit, veprat të cilat hyjnë në kategorinë e veprave të kompensueshme janë: vrasja, trafikimi me njerëz, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve, rastet e dhunës në familje.

Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës tregon se shumë pak gra kërkojnë të kompensohen për dhunën ndaj tyre.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës

“Zakonisht gratë nuk e kërkojnë këtë kompensim, sepse për momentin ato janë të fokusuara te siguria e tyre edhe duan vetëm që të përfundojë sa më shpejt çdo relacion apo marrëdhënie me ushtruesin e dhunës edhe shpesh nuk e dinë që e kanë këtë të drejtë, dhe e refuzojnë këtë të drejtë. Në momentin që deklarohen gjatë procedurës penale që nuk e duan këtë të drejtë atëherë normal që edhe Gjykatat nuk ia aprovojnë mandej sepse thonë që vet viktima nuk e ka kërkuar”, tha Berisha për RTV Dukagjinin.

Gjatë vitit 2021 në emër të kompensimit të viktimave të krimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës të hyra në vlerë mbi 220 mijë euro.

E, për kategorinë e njëjtë Këshilli Prokuroria ka realizuar mbi 16 mijë euro të hyra. /Telegrafi/

Lajmet e fundit