Sunday, June 26, 2022

Të shtunën organizohet protestë në Prishtinë dhe Vushtrri, në mbështetje të profesorit Lulzim Paci


Pas reagimeve në rrjetet sociale kundër vallëzimit të profesorit Lulzim Paci, grupi “Love and Dance Prishtina”, do të organizohet protestë.

Protesta me moton “Vallëzojmë kundër bullizmit #meprofën”, është paralajmëruar të shtunën në ora 12:00, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë.

Ndërkaq, pas kryeqytetit, të njëjtit kanë thënë se do të vazhdojnë protestën edhe në qytetin e Vushtrrisë, në orën 14:00.

Ndryshe, profesori i Biologjisë, Lulzim Paci u bë viral me videot e tij duke vallëzuar që i kishte postuar në “Tik Tok”.

Kështu, për vallëzimin e tij tradicional, ai u bullizua në të gjitha rrjetet sociale.

Përveç përdoruesve të rrjeteve sociale, edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani kishte hedhur kritika ndaj Pacit.

Madje ajo të hënën gjatë ditës kërkoi nga Gjimnazi “Eqrem Çabej”, në Vushtrri dhe Drejtoria e Arsimit të kësaj komune që të marrin masa.

Më vonë, Ujkani kërkoi falje publike duke thënë se nuk kishte për qëllim bullizmin.

Lidhur me komentet negative në adresë të profesorit Lulzim Paci, kanë reaguar edhe fytyra të njohura të ekranit.

Më vonë u krijua edhe një sfidë #ProfaChallenge”, në rrjetet sociale, duke publikuar kështu video duke vallëzuar, në mbështetje të Pacit./Telegrafi/

Lajmet e fundit