Tuesday, June 28, 2022

Szunyog e falënderon Kurtin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë


Në ditën kur Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi pakon sanksionuese ndaj Federatës Ruse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e priti në zyrën e tij Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesin Special të BE-së, ambasadorin Tomáš Szunyog.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, kryeministri Kurti e njoftoi ambasadorin Szunyog për vendimin e sotëm të qeverisë dhe për pakon e sanksioneve kundër Federatës Ruse, të cilat janë në linjë me ato të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Teksa u diskutua për zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe për gjendjen e sigurisë në Evropë dhe rajon pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse, kryeministri theksoi nevojën për bashkërendim dhe bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe partnerëve tjerë”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se, ambasadori Szunyog shprehu falënderimin e tij për rreshtimin e Republikës së Kosovës me politikën e Bashkimit Evropian dhe vendosjen e sanksioneve në linjë me të.

“Ai tha se me vendimin e sotëm po tregoni jo vetëm harmonizim me politikën e jashtme të BE-së, por edhe me vlerat tona të përbashkëta. Mes tjerash, u dakordua që të shtohet komunikimi dhe bashkërendimi ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës”. /Telegrafi/

Lajmet e fundit