Sunday, June 26, 2022

Shoqata “Peja” nga New York-u, për një mandat dyvjeçar zgjodhi kryetarin dhe kryesinë e re


Shoqata humanitare “Peja” nga New Yorku, me seli në Bronx, ka mbajtur zgjedhjet e reja 

Me vota unanime të të pranishmëve, është zgjedhur Kryesia e kësaj shoqate me mandat dy vjeçar, 2022-2024.

Kryetar i kësaj shoqate është zgjedhur, për herë të tretë edhe për një mandat dyvjeçar z. Rejmond Zeka, nënkryetare znj. Shyhrete Sharaxhija, sekretar z. Blerim Koçani, arkëtar z. Reshat Kelmendi, anëtarët e Kryesisë z. Nerim Krasniqi, z. Adriatik Shala, znj. Liljana Kaliqani dhe znj. Mimoza Nela.

Gjithashtu, shoqata “Peja” në New York, ka zgjedhur edhe tre anëtarë nderi, ish-kryetarët e Shoqatës, z. Agim Çavdarbasha, znj. Mensure Llonçari dhe z. Ramiz Kelmendi, transmeton Telegrafi.

Bëhet e ditur se anëtarët e nderit të kësaj shoqate, janë pjesë e përhershme e Kryesisë së Shoqatës, por pa të drejtë vote.

Të zgjedhuri kanë falënderuar të pranishmit që gjetën kohë dhe erdhën për të kontribuuar në zgjedhje, dhe të cilët ua besuan udhëheqjen e Shoqatës, të lartpërmendurve, për këtë mandat të ardhshëm dyvjeçar.

Të zgjedhurit e kësaj shoqate, të cilët do të kenë mandat dy vjeçar, kanë konfirmuar edhe një herë angazhimin e tyre të pafund, për të ndihmuar qytetarët e Republikës së Kosovës, aty ku paraqitet më së shumti nevoja.

Zyrtarët e kësaj Shoqate, kanë deklaruar se, familjet në nevojë do të ndihmohen dy herë në vit, pasi që sipas tyre, kjo iniciativë do të mbetet si traditë duke ndihmuar Kosovën dhe qytetarët e saj, nga komuniteti shqiptar në New York, pasi që është edhe misioni kryesor i shoqatës në fjalë.

Ata thanë se edhe pse kërkesat janë të mëdha për ndihmë, Shoqata humanitare “Peja” nga New Yorku, po të mundohet që me të gjitha mundësitë që ka, t’i ndihmojë familjet në nevojë në Pejë dhe rrethinë. /Telegrafi/

Lajmet e fundit