Sunday, July 3, 2022

Rusia dhuron përmendore anembanë Shkupit dhe përcakton tekstin nga historia në to

„Lavdi e përjetshme heronjve-luftëtarë të koalicionit antihitlerian që e mundën nazizmin dhe çliruan popujt evropianë! Kjo fjali është shkruar në shenjën përkujtimore prapa Sallës Universale në qendër të Shkupit, e cila u zbulua solemnisht më 9 maj të vitit 2020 nga ambasadori rus në vend, Sergei Baznikin dhe kryetari i atëhershëm i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, shkruan Meta.mk.

Siç publikuan atëkohë autoritetet komunale, shenja përkujtimore u ngrit për nder të 75 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Mjetet për ndërtimin e kësaj shenje përkujtimore u siguruan  nga Ambasada e Federatës Ruse në vend, ndërsa vetë ambasadori Baznikin në hapjen para dy viteve tha se shenja përkujtimore në fjalë në Shkup është bërë si prototip, përkatësisht se burimi i idesë ka qenë përmendorja e ushtarëve sovjetikë në qytetin rus Rzhev, në afërsi të së cilit janë vrarë rreth 400.000 ushtarë dhe oficerë sovjetikë.

„Përmendorja të cilën po e zbulojmë sot është e veçantë, e para e këtij lloji.  Ajo është një dëshmi e unitetit të popujve të koalicionit anti-Hitlerian, i cili çliroi Evropën nga nazistët dhe aleatët e tyre”, tha ambasadori rus Baznikin më 9 maj të vitit 2020, duke përsëritur kështu fjalë  të ngjashme me ato të shkruara në shenjën përkujtimore.

Është fakt historik se më 9 maj të vitit 1945 përfundoi një kapitull i errët në historinë botërore, kur në Berlin, forcat gjermane i dorëzuan kapitullimin e nënshkruar Mareshalit Sovjetik Zhukov dhe Mareshalit britanik Tedder. Megjithatë, regjimet totalitare pro-sovjetike të instaluara pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në të gjithë Evropën Lindore dhe vuajtjet që shkaktuan tek një numër i madh i qytetarëve, edhe sot e bëjnë aktuale pyetjen: nëse popujt evropianë vërtetë u çliruan, apo pas kësaj dite vazhdoi pushtimi sovjetik i vendeve Evropës qendrore dhe asaj lindore? Dhe nëse sot e kësaj dite, faktet historike për Luftën e Dytë Botërore ndryshohen dhe rikontekstualizohen për nevojat propagandistike të dikujt?

Meta.mk u drejtua me disa pyetje Komunës Qendër dhe Komunës së Karposhit, në territorin e së cilave janë vendosur shenjat përkujtimore e dhuruara nga Ambasada Ruse në Shkup, për të sqaruar tërë procedurën sipas së cilës janë vendosur ato.

Sa  i përket shenjës përkujtimore për nder dhe kujtim të 9 majit të vitit 1945, pyetëm Komunën Qendër se nëse gjatë ndërtimit të saj janë konsultuar edhe historianët maqedonas, ekspertët e Institutit të Historisë Kombëtare në Shkup apo shoqatat e historianëve në vend.

„Me sa dimë Komuna Qendër nuk ka konsultuar historianët me rastin e ngritjes së kësaj shenje përkujtimore”, është përgjigja e shkurtër që ka marrë Meta.mk nga Komuna Qendër.

Autoritetet komunale na shpjeguan se teksti i shkruar në shenjën përkujtimore është përgatitur nga Ambasada Ruse në Shkup, si edhe dokumentacioni i nevojshëm i projektit për vendosjen e saj në qendër të qytetit. Njëkohësisht, nga Komuna Qendër thonë se mjetet financiare për shenjën përkujtimore janë siguruar nga Ambasada e Federatës Ruse dhe për të nuk është shpenzuar asnjë denar nga buxheti i komunës.

Përgjigje të ngjashme morën edhe nga Komuna e Karposhit për shenjën përkujtimore të kozmonautit sovjetik Juri Gagarin, e cila në mënyrë solemne u zbulua në prill të vitit 2015 në lagjen Kapishtec në Shkup. Në këtë event mori pjesë edhe ambasadori i atëhershëm rus në vend Oleg Shçerbak, së bashku me kryetarin e Shkupit, Koce Trajanovski, dhe kryetarin komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.

Shenja përkujtimore e Juri Gagarin e ngritur nga Komuna e Karposhit, Shkup, në bashkëpunim me Ambasadën e Federatës Ruse në prill të vitit 2015. Foto: Meta.mk.

Nga këndvështrimi i sotëm, nga Komuna e Karposhit për Meta.mk thonë se shenja përkujtimore e Juri Gagarin është donacion i Ambasadës së Federatës Ruse në Maqedoni me rastin e Ditës së kozmonautit Juri Gagarin. Me pranimin e donacionit, Komuna e Karposhit nuk ka pasur kurrfarë shpenzime financiare për këtë, me përjashtim të obligimit për mirëmbajtjen e shenjës përkujtimore.

Në pyetjen nëse gjatë ndërtimit të shenjës përkujtimore ruse janë konsultuar historianë maqedonas, ekspertë nga Instituti i Historisë Kombëtare në Shkup apo shoqata të historianëve në vend, nga Komuna e Karposhit nuk kanë marrë ende përgjigje.

„Juri Gagarin është simbol i guximit dhe fitores, si dhe i dëshirës për të zbuluar hapësira të reja. Gagarin është njeriu që hapi një kapitull të ri në historinë botërore, në zhvillimin e shkencës dhe të njerëzimit në përgjithësi”, është sqarimi i shkurtër që Komuna e Karposhit dërgoi për Meta.mk.

Përndryshe, Komuna e Karposhit  vazhdon të shënojë përvjetorin e fluturimit të parë në hapësirë ​​të Juri Gagarin. Kështu, më 12 prill të këtij viti, një delegacion tre anëtarësh nga Komuna e Karposhit, me rastin e 61-vjetorit të fluturimit të Gagarinit, vendosi lule të freskëta para shenjës përkujtimore të tij, bashkë me ambasadorin rus Sergei Baznikin, ambasadorin kinez Zhang Zhuo, ambasadorin e Bosnjës Dragan Jakimoviq, përfaqësuesin e ambasadës së Serbisë në Shkup, si dhe përfaqësues të partive politike dhe një grup qytetarësh nga vendi. Në event morën pjesë dhe konzujt e nderit të Rusisë në Manastir dhe Ohër, Sergei Samsonenko dhe Velimir Stojkovski, lideri i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni Ivan Stoilkoviq dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Maqedono-Ruse Dejan Beshliev.

Kënd lojërash me tabelë ku është shkruar emri i një qyteti ukrainas

Rasti i fundit kur Ambasada e Federatës Ruse në Shkup bëri „donacion” për komunat qendrore të Shkupit ishte vitin e kaluar, në  muajin tetor kur u hap një kënd lojërash me temë ruse prapa Sallës Universale. Rreth rekuizitave me të cilat do duhej të luanin fëmijët nga ndërtesat përreth u vendos një gardh me emra të qyteteve ruse, duke përfshirë këtu edhe qytetin ukrainas të Sevastopolit që ndodhet në gadishullin e okupuar të Krimesë.

Tabela me qytetin e Sevastopolit që ishte vendosur në këndin e lojërave për fëmijëve në Sallën Universale; Foto: Meta.mk
Tabela me qytetin e Sevastopolit që ishte vendosur në këndin e lojërave për fëmijëve në Sallën Universale; Foto: Meta.mk

Për këtë kënd lojërash për fëmijë i cili u ndërtua me investim të përbashkët të Ambasadës Ruse në Shkup dhe Komunës Qendër, pas artikullit të Meta.mk, reagoi  Ambasada e Ukrainës në Shkup. Pas skandalit diplomatik, tabela që mbante emrin e qytetit të Sevastopolit u zhduk në mënyrë misterioze nga këndi i lojërave, nga Komuna Qendër deklaruan se nuk e dinë se kush e hoqi tabelën nga lokacioni, ndërsa aty kah fundi i vitit të kaluar pranuam një shpjegim nga Ambasada e Ukrainës në vend për reagimin e tyre për këndin e lojërave drejtuar autoriteteve maqedonase.

„Ambasadorja e Ukrainës në vend, zonja Natalia Zadorozhnjuk, realizoi një sërë takimesh të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku shprehu qëndrimin e saj për pjesëmarrjen e papranueshme të zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut, posaçërisht të udhëheqësisë së Komunës Qendër, në tentativën e palës ruse për të legalizuar statusin e territoreve të pushtuara përkohësisht të Republikës Autonome të Krimesë dhe qytetit Sevastopol si një subjekt i veçantë i Federatës Ruse”, deklaruan nga Ambasada e Ukrainës për Meta.mk në fund të dhjetorit të vitit 2021 në lidhje me tabelën e vendosur me emrin e qytetit të Sevastopolit në këndin rus të lojërave.

Përmendore memorialë apo shenja përkujtimore?

Përveç moskonsultimit të ekspertëve-historianëve dhe institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencor në vend, që do të parandalonte mundësinë e depërtimit të përmbajtjeve propaganduese tek përmendoret nga ana e vetë donatorit, edhe nga Komuna Qendër edhe Komuna e Karposhit thonë se, të paktën formalisht dhe ligjërisht, kanë ndjekur procedurën ligjore që është e domosdoshme para ngritjes së përmendoreve ruse nëpër Shkup.

Autoritetet lokale nga Komuna Qendër për Meta.mk sqarojnë se i kanë plotësuar të gjitha detyrimet ligjore gjatë realizimit të shenjës përkujtimore. Këshilli i Komunës Qendër më 4.5.2020 mbajti seancën e 45-të, në të cilën u vendos për ngritjen e shenjës përkujtimore ruse me rastin e 75 vjetorit të fitores mbi fashizmin. Vetëm pak ditë më vonë, kjo shenjë përkujtimore, si e përfunduar tashmë, u lëshua në përdorim në një ceremoni që u mbajt më 9 maj të vitit 2020.

Edhe nga Komuna e Karposhit për Meta.mk thonë se ngritja e shenjës përkujtimore së Juri Gagarinit ka kaluar nëpër filtrat komunal, gjë që është e domosdoshme sipas Ligjit për përmendoret memorialë dhe shenjat përkujtimore në vend.

„Më 24 nëntor 2014, Këshilli i Komunës së Karposhit solli vendim për vendosjen e shenjës përkujtimore në vendin ku është sot”, thonë nga Komuna e Karposhit, si një hap që i parapriu hapjes zyrtare në prill të vitit 2015.

Për dallim nga Komuna Qendër, në Komunën e Karposhit nga miratimi i vendimit komunal deri në vendosjen e shenjës përkujtimore kanë kaluar disa muaj.

Por, këtu parashtrohet edhe pyetja nëse donacionet ruse në Shkup janë përmendore memorialë apo shenja përkujtimore? Ligji për përmendoret memoriale dhe shenjat përkujtimore, i cili është publikuar në uebfaqen e Ministrisë së Kulturës dhe të Аgjencisë për administratë, bën dallimin mes dy termave, por është lënë hapësirë ​​për interpretim të lirë.

Në nenin 3 të këtij Ligji, theksohet se përmendoret memoriale janë objekte e veçanta ose grup objektesh dhe vepra monumentale të arkitekturës, skulpturës, pikturës dhe artit të aplikuar me përmbajtje istorike dhe artistike dhe vlera të cilat ngrihen për ruajtjen e përhershme të kujtimit të ngjarjeve dhe personaliteteve të cilët janë me rëndësi të jashtëzakonshme për Republikën e Maqedonisë dhe atë për zhvillimin e shtetësisë së Republikës të Maqedonisë dhe për kontinuitetin e saj juridik-shtetëror dhe të jenë të inkorporuara në zhvillimin historik të vendit.

Pra, përmendore memoriale mund të ngritët me vendim të marrë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, e jo nga komunat.

Në nenin 4 dhe 5 shpjegohet se shenja përkujtimore janë bustet, skulpturat, pllakat, çezmat, shatërvanët dhe veprat e tjera artistike dhe arkitektonike dhe veprat dhe krijimet që shënojnë ngjarje dhe personalitete të një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin ose që kanë një rëndësi lokale, vendim për ngritjen e të cilave japin komunat ose Qyteti i Shkupit. Ky Ligj u plotësua në vitin 2008 dhe në vitin 2015 në periudhën e ndërtimit të të ashtuquajturit projekti „Shkupi 2014“, pikërisht në pjesën e neneve që kanë të bëjnë me ndërtimin e përmendoreve, e që u miratuan nga qeveria e atëhershme në krye me VMRO-DPMNE-në.

Që para disa vitesh BIRN e publikoi Vendimin e Komunës Qendër për ngritjen e përmendores së Aleksandrit të Madh në sheshin Maqedonia, për të cilën në vend që të vendoste Kuvendi, procedura për ngritjen e saj u zbatua përmes Komunës Qendër. Profesori Mirosllav Grçev nga Fakulteti i Arkitekturës që  disa vite më parë shkroi se përmendorja e Aleksandrit të Madh është „kontrabanduar” si shenjë përkujtimore komunale me rëndësi lokale, me çka në thelb është pezulluar rendi kushtetues dhe sundimi i ligjit duke anashkaluar Kuvendin Kombëtar.

Shkup, sheshi "Maqedonia", foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shkup, sheshi “Maqedonia”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mirëpo, edhe qeveria aktuale e udhëhequr nga LSDM-ja deri më sot nuk ka bërë ndryshime në Ligjin për përmendore memoriale dhe shenja përkujtimore që të mund të bëhet dallim i qartë mes dy termave dhe për ta bërë në rigoroze procedurën për ngritjen e tyre, në mënyrë që të shmanget përhapja e propagandës së huaj përmes ngritjes së përmendoreve nëpër vendbanimet në vend.

Rezultati i kësaj janë shenja përkujtimore të reja që kohëve të fundit mbijnë në të gjithë vendin, me të cilat mund të maskohen faktet historike në favor të qëllimeve propaganduese të dikujt, ndërkohë që përmbajtja e këtyre shenjave përkujtimore të mos kalojë nëpër filtrat shtetërorë dhe ato të ekspertëve që duhet të lustrojnë ajo që do të vendoset si vepër përfundimtare në hapësirën publike.

Lajmet e fundit

BEG-ut i merren të gjitha licencat, Bekteshi e mban premtimin

Ashtu siç kishte paralajmëruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, BEG nga tetori nuk do t’i ngrohë më shkupjanët. KRE i mori të gjitha licencat e...

Fillon rregullimi, tamponimi dhe pastrimi i kanaleve në fshatin Dvorcë

Komuna e Pllasnicës sot ka nisur me rregullimin, tamponimin dhe pastrimin e kanaleve si dhe aktiviteteve të tjera në fshatin Dvorcë, kështu njofton kreu...

Miliona denarë nga arka e Studeniçanit shkojnë për shokun e afërt të Azem Sadikit!?

“Eling Dooel Uvoz-Izvos Skopje”, është kjo kompania më e preferuar e Komunës së Studeniçanit.Kjo kompani është ajo që fiton pothuajse çdo tender nga kreu...