Monday, November 29, 2021

Rrëfimi i Ergyles, e vetmja grua në Kosovë që mban gjallë traditën familjare mbi 100 vjeçare të punimit të plisit


Plisin e bardhë e ka vendosur në mes të sofrës. Në të njëjtën sofër që u ushqyen dasmorët e prindërve të saj para shumë vitesh.

Ngjyrat kuq e zi rreth të bardhës së plisit janë kombinuar me shumë kujdes, në veshjet e zhgunit e materialeve të tjera, punuar me shumë dashuri.

Mbi këtë sofër, që e mori me vete ku u martua 35 vite më parë, ajo ekspozon veshjet kombëtare, që mes sfidave i punon bashkë me bashkëshortin, djemtë dhe të vetmen punëtore që e ka aty tash e 15 vite.

Në një objekt gjysmë tulla e gjysmë xhama, ku rrjedh uji mureve nga lagështia, familja Gjurgjialo mbajnë gjallë traditën e plisit.

Tashmë udhëheqëse e punëtorisë së familjes, artizane Ergyle Gjurgjialo në një intervistë për Telegrafin ka rrëfyer sfidat e saj, që nga dita kur ajo nisi të punonte plisat.

Rrallë shihej në Prizren që një nuse e re të punonte me bashkëshortin, por ajo arriti të marrë leje që t’i bashkohej në biznesin 120 vjeçar të familjes Gjurgjialo.

Artizane Ergyle Gjurgjialo gjatë intervistës për Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

“Fakt, kam qenë edhe nuse edhe punëtore. Sfida më e madhe, derisa kam marrë lejen prej pleqve në shtëpi, të dal edhe unë me Nagjiun, bashkë të punojmë, se jeta veç tu u vështirësu, edhe dëshira e vullneti që kam pas gjithmonë me punu”, thekson ajo.

Ergylja thotë se kur e gjeti plisin në atë familje, e kaploi një emocion i madh.

Punimi i plisave në punëtorinë e familjes Gjurgjialo, Prizren / Foto: Ridvan Slivova

“Unë si femër me punu plisin, një emocion i madh, me gjithë vullnet krejt veten teme ia kam dhënë plisit”, rrëfen Ergylja.

Që nga ajo kohë, asaj nuk i ka munguar përkrahja e bashkëshortit e familjes.

“Përkrahjen e kam pasur gjithmonë prej burrit, e pas tij gjithmonë ai në punëtori, unë në punëtori, normal kemi pas adete, e do sende në Prizren, si nuse e re ka qenë e vështirë me dal menjëherë me punu, mirëpo përkrahjen e burrit e kam pasur ashtu që arrita me përfundu një plis krejt”, shprehet ajo, transmeton Telegrafi.

Artizane Ergyle Gjurgjialo gjatë intervistës për Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

E procedura deri të produkti final nuk është e thjeshtë.

“Kjo zhguni që bëhet, krejt me dorë punohet, ashtu e kam bërë vet, kjo punohet si brumi me dorë e me forcë, prerjen e bën burri më tepër, gajtanin e bëjmë me djalin, tek zhguni, teshat kombëtare që është më vështirë”, shprehet Ergyle Gjurgjialo.

Procedura e punimit të plisit në punëtorinë e familjes Gjurgjialo, Prizren / Foto: Ridvan Slivova

Mbi 26 herë i duhet ta përpunojë leshin, për të arritur formën e plisit.

“Ka procedura aq të dhimbshme gjatë punës, sa nganjëherë duart gjak më bëhen”, u shpreh ajo gjatë rrugës që po bënim për të hyrë në punëtorinë e familjes.

Vullneti e ka mundur secilën vështirësi deri tani, por sfidat sa shkojnë e rriten.

Procedura e punimit të plisit në punëtorinë e familjes Gjurgjialo, Prizren / Foto: Ridvan Slivova

Mungesa e mjeteve, mungesa e punëtorëve dhe pamundësia që lëndën e parë ta marrin nga prodhuesit vendor janë vetëm disa nga sfidat që e shqetësojnë familjen e saj.

Gjatë sezonës së verës, kur porosi ka më shumë, aty punojnë deri në 20 persona, por siç tha ajo, shumica tashmë kanë dalë jashtë Kosovës për një jetë më të mirë.

Ky është edhe shqetësimi kryesor i familjes Gjurgjialo, pasi të vetëm nuk mund të ia dalin gjithmonë të kryejnë porositë.

Veshje me motive kombëtare / Foto: Ridvan Slivova

“Kemi pasur punëtorë, deri në 10 punëtorë, ose 20, kur kemi pasur kërkesë të madhe, mirëpo shumica kanë dal jashtë, ajo na sakatoj krejt, tash neve që kemi biznesin familjar, që e rujmë traditën me një fanatizëm. Vet jemi duke punu, me 16 orë jemi tu punu me rujt traditën e plisit, por punëtor nuk kemi, halli më i madh është ky për momentin”, thotë Ergylja.

Lëndën e parë e marrin nga Australia, pasi sipas Ergyles leshi i dhenëve në Kosovë nuk është i përshtatshëm tërësisht për punimin e plisit.

Punimi i plisave në punëtorinë e familjes Gjurgjialo, Prizren / Foto: Ridvan Slivova

“Problemi është që si kanë filluar të qesin plehin artificial, prej atëherë leshi i dhenëve është egërsu. E ka edhe leshi marifetin e vet, matet me mikrona, e këtu ka shumë pak, nuk bëhet i butë si merinoja, por prapë po mundohem që prej burrave ose grave që ta marrim, prej leshit të qafës, leshin e Kosovës përdorim shumë pak. Pastaj, problemi është që me marr krejt leshin me punu me leshin e Kosovës të deleve, nuk kemi makina për pastrimin e tyre, rriqrat janë në pyetje, pastrimi është problem, s’mundemi me rreziku, ani pse me dorëza e sende, pa i pas makinën e larjes së lëndës së parë”, theksoi ajo.

Artizane Ergyle Gjurgjialo gjatë intervistës për Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

Me gjithë sfidat e mëdha e problemet, ata çdo mëngjes, nisen drejt punëtorisë për të kaluar nganjëherë edhe 16 orë në makineritë për punimin e plisit e të veshjeve tjera kombëtare.

“Njeriu që donë, që ka vullnet e dëshirë çdo gjë mundet me arrit. Askush nuk mundet me thanë diçka se kur është vullneti gjithçka bëhet”, përfundoi ajo. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK