Sunday, July 3, 2022

RMV, një pjesë e komunave do të paguajnë gati një milion euro për punësime të përkohshme

Vetëm nga 1 janari 2022 e deri në fund të marsit janë lidhur më shumë se 20 kontrata, mes komunave dhe agjencive për punësime të përkohshme, që do të kushtojnë gati një milion euro. Shumat më të larta për punësim nga agjencitë për punësime të përkohshëm kanë: Tetova (297 mijë euro), Ohri (pothuajse 70 mijë euro), Gazi Baba (gati 200 mijë euro), Bërvenica (73 mijë euro), Ilindeni (65 mijë euro). Punësimet e përkohshme vitet e kaluara janë kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si mundësi për angazhimin e ushtarëve partiakë në administratë, shkruan Vërtetëmatësi.

Rreth një milion euro do t’u paguajnë, rreth njëzet komuna, agjencive për punësime të përkohshme që nëpërmjet punësimit me honorar të punësojnë persona të rinj, tregojnë të dhënat e Byrosë për Prokurime Publike të cilat i analizoi “Vërtetmatësi”. Paratë do të jepen për punësim të personave me kontratë njëvjeçare për vepër, praktikë kjo që prej vitesh funksionon në vendin tonë dhe për të ka reaguar prej kohësh edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, me sqarimin se duke punësuar njerëz nëpërmjet agjencive për  punësim mundësohet çdo lloj ndikimi – ndikim partiak, nepotizëm, kronikë dhe klientelizëm.

Për angazhimin e këtyre personave, të cilët punësohen me honorar, në këtë rast në komuna, nuk shpallet konkurs për punë dhe kontratat, sipas atyre që janë publikuar në faqen e Byrosë për Prokurime Publike, lidhen për një vit. Më pas personat e njëjtë mund të vazhdojnë, pa shpallur konkurs pune sipas kritereve të sakta.

Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, ku në shumicën e komunave u ndërrua pushteti, gjegjësisht nga LSDM kaloi në duart e VMRO-DPMNE-së, në Byronë për Prokurime Publike mund të gjendet një numër i madh shpalljesh për angazhim të agjencive për punësim të përkohshëm.

Kështu, vetëm nga 1 janari 2022 deri në fund të marsit janë lidhur më shumë se 20 kontrata, mes komunave dhe agjencive të punësimit të përkohshëm, që do të kushtojnë gati një milion euro. Bëhet fjalë për komunat: Tetovë, Pehçevë, Ilinden, Çeshinovë-Obleshevë, Prilep, Konçe, Kumanovë, Mogillë, Likovë, Demir Kapi, Sopishte, Bërvenicë, Novo Sellë, Gazi Babë, Probishtip, Ohër, Kriva Pallankë, Krivogashtani, Bosilovë, Bogovinë dhe Konçe. Shumat më të larta për punësimin e agjencive për punësim të përkohshëm i kanë komunat: Tetova (297 mijë euro), Ohri (pothuajse 70 mijë euro), Gazi Baba (gati 200 mijë euro), Bërvenica (73 mijë euro), Ilindenit (65 mijë euro). …

Në kontratë thuhet se nuk është e detyrueshme që të shpenzohet e gjithë shuma e parashikuar në marrëveshje.

Agjencitë e punësimit të përkohshëm janë një lloj ndërmjetësi në tregun e punës. Ato i plotësojnë nevojat e ndërmarrjeve, të cilat i shfrytëzojnë shërbimet për krah fleksibil të punës, nga njëra anë, e nga ana tjetër nevojat e punëtorëve për punësim të përkohshëm. Megjithatë, në Ligjin për Agjencitë për Punësime të Përkohshme është përcaktuar saktësisht se në cilat kushte një institucion mund të lidhë kontrata mbi këtë parim.

Agjencia për Punësime të Përkohshme, sipas Ligjit (neni 4), mund, në bazë të marrëveshjes për lejimin e një punonjësi ndërmjet agjencisë dhe punëdhënësit tjetër, t’i lejojë punonjësin që, për punëdhënës tjetër përdorues, të kryej punë të përkohshme, vetëm në raste të: zëvendësimit të një punonjësi që mungon përkohësisht; rritja e përkohshme e ngarkesës së punës; punë sezonale; punë në projekt; aktivitete specifike të ndërprera që nuk janë pjesë e veprimtarisë mbizotëruese të punëdhënësit shfrytëzues dhe aktivitete afatshkurtra të paparashikuara që ndodhin gjatë kryerjes së veprimtarisë mbizotëruese të punëdhënësit shfrytëzues.

Por në vendin tonë, punësimet e përkohshme pothuajse rregullisht përdoren jashtë ligjit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit qysh para dy vitesh reagoi se “me punësimet e tilla manipulohen edhe me faktin se punonjësit punësohen për të kryer detyrat e parashikuara nga sistematizimi për një periudhë më të gjatë dhe jo siç parashikon ligji, për shkaka të rritjes së ngarkesës, zëvendësimi i një punonjës që mungon për një kohë të gjatë, ose për ndonjë punë të caktuar – projekte”.

E njëjta gjë konfirmohet edhe në Raportin vjetor për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021 – 2025 për periudhën 01.01.2021 – 31.12.2021. Në raport thuhet se Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është zotuar që ta heqë mundësinë e punësimit përmes agjencive për punësime të përkohshme dhe mundësinë e shndërrimit të punësimit të përkohshëm në punësim me kohë të plotë pa procedurë të rregullt punësimi. Kjo nuk është realizuar në afatin e paraparë, përkatësisht në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Problemi 1: Mos harmonizim i një sërë ligjesh që e rregullojnë punësimin me çka mundësohet çdo lloj ndikimi: ndikim partiak, nepotizëm, kronizëm dhe klientelizëm.

Masa 1: Heqja e mundësisë së punësimit përmes Agjencive për Punësime të Përkohshme dhe mundësia e shndërrimit të punësimit të përkohshëm në punësim në kohë të pacaktuar pa procedurë të rregullt punësimi.

Aktiviteti 1.1.: Ndryshimi i Ligjit për të punësuarit në sektorin publik me qëllim të eliminimit të mundësisë për punësim përmes Agjencive për Punësime të Përkohshme dhe për transformimin e marrëdhënies së punës pa procedurë të rregullt të punësimit.

Afati: gjysma e dytë e vitit 2021

Institucioni kompetent: MSHIA

Statusi: Pa realizuar. Në periudhën e dorëzimit të raporteve, MSHIA, edhe pse institucion vendimtar në këtë fushë, nga gjithsej 6 raporte për vitin 2021, nuk ka dorëzuar asnjë, e njëkohësisht nuk ka emëruar përfaqësues për tryezat e rrumbullakëta sipas sektorëve. (Raporti vjetor 19)

Kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, për “Vërtetmatësi” thotë se nga kryetari i mëparshëm ka trashëguar 31 kontrata për punësim të përkohshëm, prej të cilave 25 kontratat i kanë skaduar në nëntor të vitit 2021, ndërsa pesë në prill të këtij viti.

Nga 31 personat që kanë qenë të angazhuar, vetëm pesë kishin ardhur në punë, 26 të tjerë nuk ishin paraqitur fare. Katër prej tyre janë vazhduar kontratat para zgjedhjeve lokale. Publikuam shpallje për angazhim në Agjenci për Punësime të Përkohshme sepse ende nuk ishte bërë plani i sistematizimit dhe për punësime për vitin 2022. Më duhej të punësoj pesë persona në zyrën time, si dhe një inspektor rrugor, që më pas të bëhet sistematizimi vitin e ardhshëm”, tha Pecakov për “Vërtetmatësi”.

Punësimet e përkohshme, vitet e kaluara, janë kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si mundësi për të punësuar ushtarë partiakë në administratën publike. Këto punësime janë kualifikuar si “punësime të qëllimshme, politike dhe arbitrare”.

Procedurat për kontratat me afat të caktuar dhe kontratat për vepër, me kritere më të ulëta, vazhdojnë të përdoren shpesh duke i anashkaluar kriteret e përcaktuara në Ligjin për nëpunësit administrativë. Kriteret për largim nga puna duhet të jenë më transparente. Një sërë postesh të larta drejtuese janë zënë prej kohësh nga persona me status “ushtrues detyre”. Shumë nga këta u.d. drejtorë janë emëruar me mandat të plotë në verën e vitit 2021. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka vazhduar me zgjidhjen e rasteve të emërimeve të pamerituara në vitin 2020, thuhet në  Raportin e fundit e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut.

Përkundër kritikave nga faktorët dhe institucionet përkatëse për (keq)përdorimin e punësimeve të përkohshme jashtë ligjit, në Byronë e Prokurimeve Publike edhe këtë vit mund të hasen një sërë kontratash me agjencitë për punësime të përkohshme, që përveç me komunat, janë lidhur me Kuvendin, institucionet shëndetësinë dhe ndërmarrjet publike në vend.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajmet e fundit

BEG-ut i merren të gjitha licencat, Bekteshi e mban premtimin

Ashtu siç kishte paralajmëruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, BEG nga tetori nuk do t’i ngrohë më shkupjanët. KRE i mori të gjitha licencat e...

Fillon rregullimi, tamponimi dhe pastrimi i kanaleve në fshatin Dvorcë

Komuna e Pllasnicës sot ka nisur me rregullimin, tamponimin dhe pastrimin e kanaleve si dhe aktiviteteve të tjera në fshatin Dvorcë, kështu njofton kreu...

Miliona denarë nga arka e Studeniçanit shkojnë për shokun e afërt të Azem Sadikit!?

“Eling Dooel Uvoz-Izvos Skopje”, është kjo kompania më e preferuar e Komunës së Studeniçanit.Kjo kompani është ajo që fiton pothuajse çdo tender nga kreu...