Sunday, June 26, 2022

Prapaskenat e ndeshjes Kosovë – Burkina Faso: Mesazhi domethënës i Dardanëve, zhbllokimi i Rashicës, futbollistët që debutuan si dhe gjuajtja me shishe e futbollistit mysafir në drejtim të gjyqtarit


Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar ndeshjen e parë për vitin 2022, ndeshje që ishte e para edhe për përzgjedhësin e ri Alain Giresse.

Dardanët kishin përballë gjysmëfinalistët e Kupës së Afrikës, ku triumfuan përballë Burkina Fasos me rezultat të thellë 5-0.

Ka qenë një ndeshje spektakolare nga futbollistët kosovarë ku golat u shënuan nga Fidan Aliti, Astrit Selmani, Mërgim Vojvoda, Milot Rashica dhe Toni Domgjoni.

Redaksia e sportit në Telegrafi si gjithmonë zgjedh momentet më interesante nga sfidat e Kosovës dhe kësaj radhe sjell për ju prapaskenat e duelit Kosovë – Burkina Faso.

Koreografia fantastike e Dardanëve 

Tifozët e Kosovës, Dardanët shpalosën një mesazh të jashtëzakonshëm në këtë sfidë. “Marsi i rezistencës, lavdisë, krenarisë fitores!”
Përveç mesazhin të fuqishëm dhe shumë domethënës, Dardanët ngritën lartë edhe datat si 3,4,5,6,7,8,11,17,24 dhe 26 mars që kanë të bëjnë me ngjarjet historike në vendin tonë si Epopeja e UÇK-së, dështimi i forcave serbe në rajonin e Podujevës, bombardimet e Natos, beteja e Gllogjanit apo edhe trazirat e marsit.

Një minutë heshtje për Madeleine Albright

Ditën e djeshme ka ndërruar jetë mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright. Ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka luajtur rol kyç në çlirimin e Kosovës dhe shtet ndërtimin e vendit tonë. Në kujtim të mikës së madhe të kombit, para fillimit të ndeshjes u mbajë një minutë heshtje në stadiumin Fadil Vokrri, ku gjithë të pranishmit nderuar jetën dhe veprën e Albright.

Tre futbollistë mysafirë me mbiemra të njëjtë në fushë nga minuta e parë

Njëri nga faktet më interesante ishte se në këtë takim tre futbollistë të Burkina Fasos filluan ndeshjen nga minuta e parë e që kishin mbiemrin e njëjtë Ouattara. Fjala është për sulmuesit Djibril e Dango Ouattara si dhe mbrojtësi Soumbalia Ouattara. Ndërkohë futbollisti i katërt që pati mbiemrin e njëjtë ishte Abou Ouattara, por që nuk luajti fare në këtë sfidë duke qëndruar në bankën rezervë për gjatë 90 minutave.

Zhegrova debaton ashpër me gjyqtarin anësorë, kryesori ia tërheq vërejtjen e fundit

Edon Zhegrova ka qenë i pandalshëm për futbollistët mysafirë me depërtimet e tij në krahun e djathtë. Sulmuesi i Kosovës u ndalte vetëm në mënyrë të palejueshme. Në minutën e 55-të ai u pengua afër rivënies anësore dhe topi doli jashtë vijës me anësorin që nuk sinjalizoi kryesorin për faull. Kjo e acaroi sulmuesin prishtinas i cili me tone të ashpra debatoi me gjyqtarin anësor, por në atë moment ndërhyju gjyqtari kryesor i cili ia tërhoqi vërejtjen Zhegrovës duke e qetësuar.

Futbollisti mysafir ndëshkohet me karton të kuq, e gjuajti gjyqtarin anësorë me shishe të ujit nga banka rezervë

Bryan Dabo ishte titullar për Burkina Fason, por në minutën e 65-të u zëvendësua duke mos iu lejuar ta ekzekutojë penalltinë e fituar vet. Si duket kjo gjë nuk i pëlqeu mesfushorit të Rizesporit të cilin e tradhtuan nervat tre minuta më vonë. 30-vjeçari nga banka rezervë e gjuajti me një shishe uji gjyqtarin anësorë me ç’rast kryesori e ndëshkoi me karton të kuq direkt duke e përjashtuar edhe nga banka rezervë. Një gjest i ulët e anti sportiv nga Dabo.

Më në fund, vjen zhbllokimi i Rashicës në Fadil Vokrri

Milot Rashica është njëri nga futbollistët me më së shumti paraqitje për Kosovën deri më tani. Por sulmuesi vushtrrias asnjëherë nuk kishte arritur të shënoj gol në stadiumin Fadil Vokrri, përkundër rasteve të mira që kishte. Në 12 ndeshje të zhvilluara në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, Rashica nuk kishte arritur të shënonte gol dhe në të 13-tën erdhi goli i shumëpritur. Tani pas zhbllokimit, urojmë që Miloti të shënojë në çdo ndeshje si në Prishtinë ashtu edhe jashtë vendit me fanellën  Kosovës.

Dy futbollistë debutues te Kosova

Toni Domgjoni vitin e kaluar iu bashkua Kosovës, por pa arritur të luaj deri më tani. Mesfushori i Vitesses e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe arriti të shënoj edhe gol në sfidën ndaj Burkina Fasos. Debutimin e shumëpritur e pati edhe Lumbardh Dellova në grumbullimin e parë me Kosovën. Mbrojtësi i Ballkanit u inkuadrua në lojë në minutën e 72-të dhe bëri një paraqitje shumë të mirë.

Disa tifozë u futën në fushë, qëllimi ishte për të bërë foto me futbollistët e Kosovës

Paraqitja fantastike e futbollistëve tanë ka kënaqur çdo shqiptar anë e mbanë botës, jo vetëm të pranishmit në stadiumin Fadil Vokrri që ishin rreth shtatë mijë. Pas përfundimit të ndeshjes disa tifozë u futën në fushë, ku qëllimi i tyre ishte të bënin foto me futbollistët e Kosovës. Edhe pse u ndalën nga sigurimi, ata megjithatë ia arritën qëllimit pasi futbollistët tanë nuk i refuzuan për foto. /Telegrafi/

Lajmet e fundit