Tuesday, June 28, 2022

Po kërkohet nga Chelsea, Reali ka gati kontratën për ta blinduar Militaon


Pas një fillimi shumë të vështirë, Eder Militao sot është shtylla kryesore në mbrojtjen e Real Madridit.

Qendërmbrojtësi brazilian ka qenë ndër lojtarët më meritorë për suksesin e dyfishtë të Realit këtë edicion, triumfin në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.

Gjiganti anglez Chelsea ka shprehur interesim për transferimin e Militaos dhe Los Blancos kanë reaguar menjëherë.

Londinezët i kanë ofruar një kontratë pesë vjeçare me pagë 10 milionë euro në sezon plus bonuset, ofertë që pritet të bëhet edhe nga Reali.

Qëllimi i brazilianit është të mbetet në Madrid dhe palët tanimë kanë filluar diskutimet për marrëveshjen e re.

Kontrata aktuale e Militaos me Realin skadon në verën e vitit 2025, derisa Reali synon që t’ia vazhdojë edhe për dy vite të tjera duke i ofruar edhe një pagë më të lartë se sa fiton aktualisht.

24-vjeçari aktualisht fiton 8,6 milionë euro neto në sezon, derisa me kontratën e re synon që të shkojë në rreth 12 milionë euro pagë vjetore.

Reprezentuesi brazilian është i vendosur të qëndrojë në Madrid, pasi ndihet i rëndësishëm dhe si lider në mbrojtjen e kampionëve në fuqi të Evropës.

Edicionin e fundit Militao zhvilloi 50 ndeshje në të gjitha garat ku shënoi edhe dy gola e asistoi në tre të tjerë. /Telegrafi/

Lajmet e fundit