Monday, November 29, 2021

Për punimin e veshjeve kombëtare shqiptare, lënda e parë sillet nga Australia


Detyrohen që lëndën e parë për përpunimin e veshjeve kombëtare shqiptare ta sjellin nga Australia.

Pamundësia që lëndën e parë ta marrin nga prodhuesit vendor është vetëm një nga sfidat që e shqetësojnë familjen Gjurgjialo e cila tash e 120 vite mbanë gjallë traditën e punimit të plisave dhe veshjeve të tjera kombëtare shqiptare.

Tashmë udhëheqëse e punëtorisë së familjes, artizane Ergyle Gjurgjialo në një intervistë për Telegrafin ka shpjeguar arsyet pse nuk mund të përdorin lëndën e parë nga prodhuesit vendor.

Veshje me motive kombëtare / Foto: Ridvan Slivova

“Problemi është që si kanë filluar të qesin plehin artificial, prej atëherë leshi i dhenëve është egërsu. E ka edhe leshi marifetin e vet, matet me mikrona, e këtu ka shumë pak, nuk bëhet i butë si merinoja, por prapë po mundohem që prej burrave ose grave që ta marrim, prej leshit të qafës, leshin e Kosovës përdorim shumë pak. Pastaj, problemi është që me marr krejt leshin me punu me leshin e Kosovës të deleve, nuk kemi makina për pastrimin e tyre, rriqrat janë në pyetje, pastrimi është problem, s’mundemi me rreziku, ani pse me dorëza e sende, pa i pas makinën e larjes së lëndës së parë”, theksoi ajo.

Punimi i plisave në punëtorinë e familjes Gjurgjialo, Prizren / Foto: Ridvan Slivova

Po ashtu, ajo tha se gjatë sezonës së verës, kur porosi ka më shumë, aty punojnë deri në 20 persona, por siç tha ajo, shumica tashmë kanë dalë jashtë Kosovës për një jetë më të mirë.

Ky është edhe shqetësimi kryesor i familjes Gjurgjialo, pasi të vetëm nuk mund të ia dalin gjithmonë të kryejnë porositë.

Punimi i plisave në punëtorinë e familjes Gjurgjialo, Prizren / Foto: Ridvan Slivova

“Kemi pasur punëtorë, deri në 10 punëtorë, ose 20, kur kemi pasur kërkesë të madhe, mirëpo shumica kanë dal jashtë, ajo na sakatoj krejt, tash neve që kemi biznesin familjar, që e rujmë traditën me një fanatizëm. Vet jemi duke punu, me 16 orë jemi tu punu me rujt traditën e plisit, por punëtor nuk kemi, halli më i madh është ky për momentin”, thotë Ergylja.

Veshje me motive kombëtare shqiptare/ Foto: Ridvan Slivova

Me gjithë sfidat e mëdha e problemet, ata çdo mëngjes, nisen drejt punëtorisë për të kaluar nganjëherë edhe 16 orë në makineritë për punimin e plisit e të veshjeve tjera kombëtare.

“Njeriu që donë, që ka vullnet e dëshirë çdo gjë mundet me arrit. Askush nuk mundet me thanë diçka se kur është vullneti gjithçka bëhet”, përfundoi ajo. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK