Sunday, July 3, 2022

Parandalohet futja e ilegale e rreth 35 mijë eurove


Në pikë kalimin kufitar Jarinje me qëllim të luftimit dhe parandalimit të kontrabandës në bashkëpunim në mes të Doganës dhe Policisë së Kosovës është zhvilluar një plan operativ i koduar “Luftimi kontrabandës”.

Gjatë zhvillimit të planit operativ rreth orës 16:00  të së premtes është ndaluar për kontroll automjeti me targa të Serbisë të cilin e drejtonte një qytetar i Republikës së Kosovës.

“Për arsye të dyshimit të bazuar dhe informatave të siguruara përmes rrugëve operative,  vetura në fjalë është selektuar për kontroll në vijën e dytë ku i është bërë kontrolli detal nga zyrtarët doganor dhe policor.

Gjatë kontrollit të veturës  janë zbuluar mjete monetare të pa deklaruara në shumën prej 34,720.00 euro.  Për trajtim të mëtutjeshëm rasti në fjalë është trajtuar nga hetuesia e doganës dhe Prokurori i Prokurorisë Speciale”, thuhet në njoftim.

Bazuar në nenin 33 paragrafi 5 i ligjit 05/L-096 (Ligji për pastrimin e parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit), palës i janë konfiskuar 25% apo 8,680.00 euro e mjeteve të pa deklaruar, ndërsa 75 për qind apo 26,040.00 euro e mjeteve janë ndaluar me urdhër të Prokurorit për hetime të mëtutjeshme.

Dogana e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontroll në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095. /Telegrafi/

Lajmet e fundit