Sunday, July 3, 2022

Pandemia që nuk po merr fund – dy vite përballje me “armikun e padukshëm” COVID-19


“Armiku i padukshëm” vazhdon të mbetet ende problem në mbarë botën. Sot kur në Kosovë bëhen plot dy vite nga konfirmimi i rasteve të para me coronavirus, situata epidemiologjike ka vazhduar të jetë herë pas here alarmante.

Ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Arben Vitia kishe konfirmuar se pas kryerjes së analizave në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike për SARS Cov 2 për 15 raste të dyshimta në COVID-19, dy prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Njëri nga të konfirmuarit pozitiv me COVID-19 kishte qenë një shtetase italiane e moshës 20 vjeçare, kurse pacienti i dytë, ishte kosovar i moshës 77 vjeçare, shkruan Telegrafi.

Që nga data 13 mars 2020, kur u konfirmuan rastet e para me coronavirus e deri më sot, qytetarët janë përballur me shumë sfida, krahas humbjes së më të dashurve të tyre nga ky virus.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në atë kohë më 15 mars 2020 kishte shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Pas shpalljes së gjendjes emergjente pasoi ajo që në botë u bë e njohur si “LOCKDOWN”, pra mbyllje totale, kufizimi i orarit të lëvizjes, mbyllja e shkollave dhe vazhdimi i mësimit online, ndalimi i tubimeve publike, mbyllja e parqeve, pra gjithçka përveç shërbimeve esenciale.

Lufta me “armikun e padukshëm” vazhdon edhe sot, dy vite pas. Ndonëse javëve të fundit të ka pasur rënie të rasteve, viti që lamë pas por edhe fillimi i këtij viti nuk ishte i lehtë.

Që nga marsi i vitit 2020 e deri më sot, në Kosovë sipas të dhënave nga MSh-ja, me virusin COVID-19 janë prekur 226 mijë e 845 qytetarë, ndërkaq jetën e kanë humbur 3 mijë e 124.

Që nga fillimi i pandemisë e deri më sot janë kryer 1 milionë e 778 mijë e 872 teste.

Varianti Omicron dhe shpërthimi i rasteve të reja

Me paraqitjen e variantit Omicron në Kosovë, bëri që rastet e reja me coronavirus të shpërthejnë në vend në fillim të këtij viti. Janari ishte muaji më kritik sa i përket situatës me COVID-19 shkaku i variantit Omicron, ku pati edhe numër rekord të rasteve të reja të konfirmuara brenda një dite.

Rritja e rasteve filloi nga mesi i janarit më saktësisht më 19 janar 2022 ku u konfirmuan 2,050 raste. Gjatë këtij muaji u shënua numër rekord i rasteve pozitive brenda një dite ku më 26 janar u konfirmuan 4,397 raste.

Vetëm gjatë muajit janar në Kosovë u konfirmuan 40 mijë e 047 raste pozitive. Gjatë këtij muaji ka pasur edhe vdekje të qytetarëve të cilët nuk arritën t’i bëjnë ballë luftës me COVID-19. Brenda këtij muaji humbën jetën gjithsejtë 20 qytetarë, shkruan Telegrafi.

Duke parë këtë situatë, Qeveria e Kosovës në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, vazhduan me mbajtjen në fuqi të masave parandaluese për përhapjen dhe luftimin e COVID-19.

Me masat e reja që kishte miratuar Qeveria më 22 janar, ora policore për qytetarët niste nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Qytetarët ishin të obliguar që të bartin maskën, pavarësisht vendit në të cilin ndodhen, ndërkaq lokalet e gastronomisë lejoheshin që të punonin deri në orën 21:00, ndërsa muzika lejohej deri në 20:30.

Por, me të hyrë në muajin shkurt situata epidemiologjike në vend filloj të ndryshojë. Duke parë përmirësimin e situatës epidemiologjike më 5 shkurt të këtij viti Qeveria e Kosovës mori vendim për lehtësimin e masave kufizuese. Me masat e reja kufizimi i lëvizjes ishte vendosur të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00, kurse orari i punës së gastronomisë ishte mundësuar të jetë deri në orën 23:00.

Këto masa zgjatën një muaj, pasi që më 1 mars 2022, pas rënies së dukshme të rasteve me coronavirus, Qeveria mori vendim tjetër për masat kundër COVID-19, duke hequr kështu kufizimin e lëvizjes dhe lejimin e punës së gastronomisë me orar të plotë me shfrytëzimin e 50 % të kapaciteteve.

Ajo që ndihmoi në rënien rasteve dhe normalizimin e situatës epidemiologjike ishte edhe numri i lartë i qytetarëve të cilët janë vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19.

Nga fillimi i vaksinimit e deri më sot në Kosovë janë vaksinuar 1 milion e 817 mijë e 550 qytetarë, 818 mijë e 255 prej tyre kanë marrë të dy dozat e vaksinës.

Kurse doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19 deri më sot janë dhënë 98 mijë e 577.

Në 24 orët e fundit në vend janë konfirmuar vetëm 32 raste të reja me virusin COVID-19, kurse aktualisht numri i rasteve aktive ka rënë në 748.  /Telegrafi/

Lajmet e fundit