Wednesday, June 29, 2022

Pamje të reja nga aksioni i policisë në Karaçevë


Pamje të reja janë publikuar nga aksioni që Policia e Kosovës ka zhvilluar në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ku janë arrestuar disa persona, janë rrënuar objekte e janë konfiskuar  aparate të lojërave të fatit.

Në video shihen objektet e rrënuara, të cilat ishin ndërtuar skaj rrugës.

Ndryshe, gjatë këtij aksioni të Policisë së Kosovës i cili po vazhdon edhe tani, ka pasur disa të arrestuar.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Është aksioni ende në progres dhe nuk kemi shumë informacione. Mund të ju konfirmoj se ka të arrestuar. Bëhet fjalë për pjesën ku ka pasur kazino ilegale të cilat janë rindërtuar”, tha Hashani për Telegrafin.

Edhe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje për aksionin në Karaçevë.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se aksioni ka qenë i suksesshëm.

Sveçla njoftoi se cak kanë qenë rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaqevë, ku janë konfiskuar aparate të bixhozit, janë rrënuar objektet ilegale dhe janë arrestuar personat e përfshirë.

“Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, shkruan Sveçla. /Telegrafi/

Lajmet e fundit