Sunday, June 26, 2022

Osmani takohet me presidentin e Letonisë, i kërkon mbështetje për liberalizimin e vizave


Në vazhdim të takimeve me liderë shtetërorë dhe të organizatave ndërkombëtare, në margjina të Konferencës për Siguri në Mynih, presidentja Osmani u takua me presidentin e Letonisë, Egils Levits.

Presidenca, përmes një komunikate për media, thotë se ndër të tjera, në këtë takim mes dy presidentëve u diskutua edhe për të ardhmen euro-atlantike të Republikës së Kosovës, dhe mënyrat se si Letonia mund ta përkrahë shtetin tonë në këtë drejtim.

Nga Letonia u kërkua përkrahje në procesin e liberalizimit të vizave, përmes diskutimeve me shtetet anëtare, të cilat mund të kenë hezitime për këtë proces.

Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Levits për përkrahjen e vazhdueshme që Letonia ka ofruar për Republikën e Kosovës.

Në këtë takim, u diskutua lidhur me situatën aktuale në Ukrainë, dhe ndikimin e saj në shtetet baltike dhe ato të Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka theksuar se Rusia në vazhdimësi ka synuar dhe synon edhe destabilizimin e Ballkanit.

Presidentja Osmani tha se shtetet baltike shërbejnë si një shembull i mirë për t’u ndjekur dhe se Republika e Kosovës do të vazhdoj ndërmarrjen e hapave konkret për ta avancuar statusin e vet në integrimin e mëtejshëm në strukturat euro-atlantike. /Telegrafi/

Lajmet e fundit