Wednesday, June 29, 2022

Nesër hapet ekspozita “Njeri ish ma i fortë se guri” – bazuar në rrëfimet nga vëllimi “Unë dua të dëgjohem”


Nesër nga ora 19:00, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës hapet ekspozita “Njeri ish ma i fortë se guri”, nga autorja Brikena Shabani.

Ekspozita trajton temën mbi traumën dhe kujtesën e dhunës seksuale në luftë, të bazuar në rrëfimet nga vëllimi “Unë dua të dëgjohem”.

Kjo ekspozitë mëton t’i kundërvihet kulturës kolektive të heshtjes dhe stigmatizimit, dhe hegjemonisë burrërore të kujtesës, duke i rivendosë të mbijetuarat në sfondin e përgjithshëm historik dhe duke u krijuar platforma për të artikuluar historitë e tyre dhe për të rrëfyer përvojat e tyre.

Në realizimin e ‘Njeri ish ma i fortë se guri’, autorja u angazhua nga afër me dëshmitë e të mbijetuarave të përdhunimit, duke trajtuar tekstuaitetin e rrëfimtarisë në nivel përmbajtjesor, teknik dhe estetik, gjatë përgatitjes së vëllimit ‘Unë dua të dëgjohem’.

Në këtë angazhim autorja përballë tmerrin dhe trishtimin e jetuar të shumë grave gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes ruajtjes së narrativave të përdhunimit dhe ngjizjes së tyre me elementin e xhamave të krisur dhe gurëve të thyer copë-copë shpaloset përplasja e dhunës dhe drama e çnjerëzimit, shkatërrimit, dërrmimit, mospërfilljes, vetmisë, territ dhe heshtjes.

Po ashtu, si fshehurazi na vihen në dukje dromca shprese dhe solidariteti, si dhe kërkesa e pashtershme për llogaridhënie dhe drejtësi.

Ekspozita po ashtu vë në dukje faktin se edhe pse arti dhe dokumentimi nuk mund t’i zëvendësojnë mekanizmat zyrtar të drejtësisë apo dëmshpërblimet materiale, iniciativat publike artistike e dokumentuese mund të ofrojnë kontribut të rëndësishëm në proceset e drejtësisë tranzicionale dhe në njohjen kolektive të vuajtjes së të mbijetuarave dhe kontributit të grave në luftë./Telegrafi/

Lajmet e fundit