Sunday, July 3, 2022

Mungesë e kartelave telefonike në burgjet e Kosovës, të burgosurit pa komunikim me familjarët


Përveç se të privuar nga liria, të burgosurve në Kosovë tash e dy muaj u është pamundësuar edhe të komunikojnë me familjarët e tyre. Kjo për shkak se burgjet janë duke u përballur me mungesë të kartelave të kabinave telefonike.

Një i burgosur në Qendrën Korrektuese në Dubravë, i cili është shfrytëzues i vikendit, ka shkruar në adresë të Telegrafit, duke thënë se për çështjen e kartelave telefonike nuk po interesohet askush.

“Tash e dy muaj nga ka kartela të kabinave telefonike në asnjë burg. Nuk po kemi mundësi me bisedua me familjarët. Këtu nuk po interesohet askush dhe kemi mbetur në një situatë të vështirë. Ka raste që kanë familjarë të sëmurë dhe s’kanë si të komunikojnë”, shkroi ai.

Lidhur me këtë çështje, Telegrafi ka dërguar pyetje në adresë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se ka mungesë të furnizimit me këto kartela.

Florent Gashi – zëdhënës i SHKK

Zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi, tha se tashmë kanë përfunduar procedurat e tenderimit për furnizim me kartela të kabinave telefonike dhe se shumë shpejtë Posta e Telekomit të Kosovës do të fillojë furnizimin e institucioneve korrektuese.

“Ju njoftojmë se kanë përfunduar procedurat e tenderimit për furnizim me kartela të kabinave telefonike dhe shumë shpejt PTK do të fillojë furnizimin e institucioneve korrektuese me këto kartela”, deklaroi Gashi. /Telegrafi/

Lajmet e fundit