Sunday, June 26, 2022

“Mu mbushën sytë me lot nga kritikat që mi bëri para skuadrës” – Angel Gomes zbulon debatin që kishte me Jose Mourinhos


Ish-futbollisti i Manchester United, Angel Gomes, ka rrëfyer një moment kur Jose Mourinho i kishte bërtitur para të gjithë skuadrës, duke e bërë që të ndjehej aq keq sa që edhe sytë iu mbushën me lot.

Jose Mourinho nuk është nga ata trajnerë që mund të marrë me të mira një futbollist, pasi ai njihet për sjelljen e drejtpërdrejtë me lojtarët, ndërsa në shumë raste nuk ia ka përtuar atyre edhe kritikat publike.

Angel Gomes, ish lojtar i Man Utd, ka zbuluar se Mourinho e kritikoi para të gjithë skuadrës dhe se në atë moment ai ishte gati në lot.

“Nuk e kam treguar më parë këtë histori, por njëherë Mourinho më grumbulloi me ekipin e parë për një ndeshje të Kupës. Ishim në tavolinë duke ngrënë darkë dhe ai thjesht erdhi aty duke më bërtitur. Më tha se ishte i lodhur nga unë, këmbëngulte se në fushë nuk kisha bërë atë që më kishte kërkuar”.

“Por, fjalët ishin të rëndë dhe ishin para së gjithë skuadrës. Unë nuk e prisja një reagim të tillë, u struka në vendin tim dhe disa nga shokët u afruan për të më ngritur humorin madje më thanë se Mourinho ishte thjesht duke më provokuar”.

“Isha shumë i ri dhe mendoja se Mourinho më urrente, shkova menjëherë në dhomën time dhe i telefonova babait, isha gati duke qarë”, ka treguar Gomes.

Mesfushori me tipare sulmuese thekson se e kupton Jose Mourinhon, pasi sipas tij ai donte t’iu jepte një mesazh të qartë të rinjve që ishin rrumbulluar se nuk mund të bëjnë qejf në skuadrën e parë.

Gomes është pjesë e Lille në Francë, ndërsa këtë sezon ishte në huazim te Boavista në Portugali, ku shënoi 6 gola në 30 ndeshje. /Telegrafi/

Lajmet e fundit