Sunday, July 3, 2022

MPJD sërish ia huq – këtë herë ambasadoren Al Shamsi e quan jo-rezidente në Mal të Zi, në fakt ajo mbulon Kosovën


Ministria e Jashtme e Kosovës, sërish ia huq me postimet zyrtare në rrjetet sociale.

MPJD të hënën ka raportuar për një takim të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla me ambasadoren e Emirateve, Nabila Alshamsi.

Në njoftimin e ministrisë në Facebook, thuhet se Al Shamsi është ambasadore jo-rezidente në Mal të Zi.

Por, në fakt, Al Shamsi është ambasadore EBA-s në Mal të Zi, jo-rezidente për Kosovë.

E kjo nuk është hera e parë që ministrja e Punëve të Jashtme ngatërron gjërat.

Gërvalla më herët kishte ngatërruar flamurin e Andorrës me atë të Moldavisë.

Po ashtu duke ngushëlluar për vdekjen e ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt, Donika Gërvalla iu referua atij si komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë. Por komandanti i parë i KFOR-it ishte sir Michael David Jackson.

Për shpërthimin në Spitalin e Tetovës, teksa shprehu ngushëllime për familjarët e personave që humbën jetën, Gërvalla ia huqi sërish.  Në vend se të etiketojë ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i bëri tag një tifozi të lojtarit Zlatan Ibrahimoviq.

Një tjetët huqje ishte edhe kur postoi një fotografi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke e paralajmëruar vizitën e tij në Kosovë më 1 korrik. Por në vend se të vinte flamurin e NATO-s, e vendosi flamurin e OKB-së.

Ndaj huqjes së MPJD-së, sot ka reaguar ish- Ambasadori i Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi.

Në llogarinë e tij në Facebook, Arifi ka korrigjuar postimin e MPJD-së.

“Ambasadorja Al Shamsi nuk është Ambasadore jorezidente në Mal të Zi por është Ambasadore në Mal të zi dhe mbulon Kosovën si Ambasadore jorezidente”, shkroi ai.

Po ashtu edhe ish-hulumtues në “Demokraci Plus”, dhe njohësi i politikës së jashtme, Emir Abrashi, ka reaguar ndaj Gërvallës.

Ai ka thënë se është e pamundur që një postim i MPJD-së të publikohet pa gabime.

“Nabila Al Shamsi është Ambasadore e Emirateve të Bashkuara Arabe në Mal të Zi, jo-rezidente për Kosovë. E jo Ambasadore jo-rezidente në Mal të Zi. E pamundur me u bë një postim nga profilet zyrtare të MPJD-së pa gabime. Amatera”, ka shkruar Abrashi.

Ndërkaq, pas reagimeve, MPJD ka përmirësuar shkrimin në llogarinë zyrtare në Facebook. /Telegrafi/

Lajmet e fundit