Sunday, July 3, 2022

Molliqaj: Aventurat në politikë të jashtme janë të rrezikshme, Kurti e Osmani ia mundësuan Serbisë të duket mirë e ne të largohemi nga perëndimi


Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka folur për politikën e jashtme të Qeverisë së Kosovës.

Molliqaj ka thënë se kjo qeveri ka ulur marrëdhëniet me ndërkombëtarët në nivelin më të ultë.

I pari PSD-së, ka shtuar se në politikën e jashtme kjo qeveri është aventuriste, duke theksuar se shumica e veprimeve që ka ndërmarrë ishin mashtrim.

“Qeveria është aventuriste në politikën e jashtme. Vendimi për ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë është mashtrim sepse veriu i Kosovës nuk është i Kosovës, ky është efekt populiste sepse strukturat paralele i ke ende në veri, dhe ende u paguajmë rrymën serbëve të veriut”, tha Molliqaj.

Molliqaj shtoi tutje se ky ishte veprimi më idiot dhe mashtrues.

“Është veprim idiot dhe mashtrues sepse nuk ka ndërruar asgjë në veri, a jemi për gjeste apo për shtet. I kemi jap disa sinjale të këqija në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Dolën dhe mashtruan popullin se do të anëtarësohemi në NATO, nuk ka asnjë shans mu anëtarësua në NATO”, tha Molliqaj.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj gjatë intervistës në Telegrafi.com/ Foto: Ridvan Slivova

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Molliqaj u shpreh se nuk e përjashton një marrëveshje, por e përjashton një marrëveshjen përfundimtare që zgjidh përgjithmonë problemin mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se Kurti, Osmani e Konjufca po i bëjnë dëm Kosovës më shumë se kushdo tjetër në politikën e jashtme.

“Kurti, Osmani e Konjufca janë në elemente ja hiq zgjidhje ja zgjidhje të përkohshme që s’është prapë zgjidhje. Këta po i bëjnë dëm Kosovës më shumë se kushdo tjetër. Këta e kanë mashtru opinionin publik duke përmend se jemi të rrezikum e me hap Fondin e Sigurisë dhe populli me të jap pare. Aventuristët në politikën e jashtme janë shumë të rrezikshëm se aventuristët në politikën e brendshme”, tha Molliqaj.

Molliqaj shtoi se korrupsioni nuk është duke u luftuar dhe se këtë e konfirmoi edhe raporti i DASH-it.

“Albin Kurti i ka shërbyer interesave të mëdhaja të biznesit të madh, për mu është problem. Kurti me qasjen e tij dhe të Vjosa Osmanit i ka shëbyer me u dok Vuçiqi mirë. Nuk më vyn asnjë gjë me dal me thanë i ndala zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, sepse nuk ka asnjë efekt real. Ke dal ke bo gjeste që ja ke mundësi Serbisë mu dok më mirë, e ti mu largu prej perëndimit. Unë nuk du në shtetin e Kosovës mu rreziku prej aventurave të tilla”, tha Molliqaj. /Telegrafi/

Lajmet e fundit