Tuesday, June 28, 2022

“Messi është në të njëjtin nivel me Maradonën” – Pochettino mbështet yllin e PSG-së për të heshtur kritikët ndaj tij


Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino ka vendosur ta mbështes yllin argjentinas, Lionel Messi, dhe t’i hesht kritikët ndaj tij, duke thënë se sulmuesi është “në të njëjtin nivel” me legjendën Diego Maradona.

Messi e forcoi statusin e tij në mesin e më të mëdhenjve të futbollit të të gjitha kohërave gjatë qëndrimit të tij 17-vjeçar te Barcelona, ku fitoi shumë herë trofeun e La Ligës dhe Ligën e Kampionëve, duke u bërë gjithashtu golashënuesi rekord i klubit.

Sulmuesi argjentinas u detyrua të largohej në fund të kontratës së tij verën e kaluar në mes të krizës financiare të Blaugranëve, dhe më pas ai u rrëmbye nga PSG në një transferim të lirë, por nuk ka qenë në gjendje të përmbushë standardet e tij të zakonshme në vitin e tij të parë në Parc des Princes.

Messi është lënë në hije nga Kylian Mbappe gjatë sezonit 2021-22, pasi ai ka luftuar për qëndrueshmëri në fazën e sulmit, me disa tifozë të PSG- së që veçojnë shtatë herë fituesin e Topit të Artë për shaka dhe tallje, sidomos pas humbjes dhe eliminimit nga Real Madridi në Ligën e Kampionëve.

Me titullin e Ligue 1 tashmë të siguruar, Messi dështoi edhe një herë tjetër të shënoj gjatë barazimit 3-3 në Strasburg të premten, por Pochettino mendon se është gjykuar padrejtësisht pas 12 muajve të turbullt.

Trajneri i PSG-së e ka krahasuar gjithashtu 34-vjeçarin me ikonën e ndjerë argjentinase Maradona, i cili frymëzoi vendin e tij drejt triumfit në Kupës së Botës në vitin 1986.

“Nuk po flasim për një lojtar të zakonshëm, Messi është në të njëjtin nivel me Diego Maradona”, ka thënë fillimisht Pochettino për RMC Sport.

“Është e qartë se kalimi i tij nga Barcelona në Paris Saint-Germain ishte një ndryshim i madh, në të cilin ishte i nevojshëm një proces adaptimi. Disa rrethana nuk e lejuan atë të ndihej aq rehat sa në Barcelonë ku kishte kaluar 20 vjet. Ku kishte qenë flamurtari i klubit”.

“Të gjykosh Messin në këtë mënyrë është e padrejtë. Nuk kam dyshime për cilësinë e tij… Sezoni i ardhshëm do të jetë një sezon krejtësisht ndryshe për të”.

“Ky ka qenë një vit mësimi, dhe jo vetëm në nivelin profesional për ardhjen në Paris, në një ligë të re dhe me shokë të rinj, por edhe në nivelin e familjes. Kjo duhet të merret parasysh. Është një gjë e madhe, janë trazira që mund të prekin një lojtar”, përfundoi trajneri argjentinas. /Telegrafi/

Lajmet e fundit