Wednesday, January 26, 2022

Magjia e Pjetërshanit gjatë festave të fundvitit – historia e fshatit që fitoi vëmendjen e mediave botërore


Me pemë të zbukuruara plot drita e oborr të ndriçuar, Kisha Shën Jozefi edhe këtë vit ka hapur dyert për vizitorë në fshatin e dritave në këto ditë festash.

Prej mbrëmjes së parë të dhjetorit, ka vite që fshati Pjetërshan i komunës së Gjakovës shndërrohet në atraksion, kur jo pak qytetarë ia mësyjnë pikërisht për shkak të zbukurimeve për festat e fundvitit.

Ideja për dekorimin e këtij fshati erdhi nga një grup i të rinjve në vitin 2005 të cilët së bashku me priftin e Kishës Shën Jozefi u kujdesen që të kjo traditë të vazhdoj për vite me radhë.

Besim Ndau aktivist i grupit rinor ka shpalosur për Telegrafin në detaje rreth historikut të dekorimit të këtij fshati.

“Pasi që dekorimet janë një traditë perëndimore e që dekorohen shumë hapësira për Krishtlindje dhe Vitin e Ri edhe tek ne lindi ideja nga një grup i të rinjve bashkë me priftin që të fillojmë një dekorim më të gjerë. Që nga viti 2005-2006 ne e kemi dekoruar ambientin për rreth Kishës, por në atë kohë nuk ishin të zhvilluara pemët rreth saj, siç janë pishat, blinat dhe pemët e tjera”, tha Ndau, duke shtuar se me vite me radhë kanë vazhduar duke e dekoruar shumë e më shumë.

Dekorimi i bredhit dhe hapësirave tjera të Pjetërshanit jo rrallë herë ka fituar vëmendjen edhe të mediave botërore, duke e krahasuar dekorimin madje me atë Washingtonit. Një vend i vogël por me një rini të shkëlqyer dhe me punë vullnetare ka arritur ta nxjerr Kosovën në mediat më të mëdha botërore.

Ndau tregon se në vitin 2014 ishte gazeta italiane “La Repubblica” a jo e cila e para kishte shkruar për Pjetërshanin si një vend i vogël i Kosovës është dekoruar shumë bukur. Por kjo nuk ishte e vetmja media botërore që paraqiti bukurit e fshatit të vogël të Gjakovës.

Në vitin 2017 nga AFP (Agence France Presse) raportoi se si në një vend të vogël të Kosovës janë duke u festuar Krishtlindjet.

“Ka pasur shumë media vendore dhe ato nga Shqipëria të cilat i falënderoj për interesimin e tyre. Vitin e kaluar 2020 agjencia më e madhe botërore Associated Press e ka vizituar famullinë tonë dhe ajo është krahasuar si një ngjarje e mirë dhe e bukur e që pastaj është transmetuar në Euronews duke e renditur Kosovën krahas Washingtonit dhe qyteteve tjera botërore. Ne e kemi përjetuar jashtëzakonisht mirë, sepse kemi dhënë një mesazh të mirë në botë për Kosovën tonë të vogël, për bashkëjetesën fetare dhe harmonin që e kanë shqiptarët në Kosovë”, tha Ndau.

Banorët janë ata që në mënyrë të organizuar mbledhin mjete për të blerë gjësendet e nevojshme për dekorin e fshatit për një atmosferë sa më festive për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.

Kjo ka bërë që Pjetërshani viteve të fundit të jetë edhe destinacion për shumë qytetarë të Kosovës por edhe turistë nga vende të ndryshme. Aktivisti Besim Ndau tregon se gjatë vitit të kaluar në fundjavë ka pasur vizitorë të shumtë.

“Vizitorë ka shumë, vitin e kaluar gjatë fundjavave ka pasur që e kanë vizituar mbi 3 mijë vizitorë, por edhe këtë vit ka filluar të ketë vizitorë të shumtë”, tha Ndau.

Të gjithë ata që shkojnë për të vizituar Pjetërshanin dhe për të shijuar për disa momente magjike në ambientin e rrethuar me drita të shumta, përveç kësaj ndjesie aty mund të ngrohen edhe me pije të ngrohta kryesisht verë të vluar, qaja të ndryshëm dhe çokollatë të nxehtë.

E për t’ua bërë edhe më të bukura çastet që do ti kaloni në këtë fshat, kujdesen edhe tingujt e ndryshëm të muzikës së Krishtlindjeve dhe zjarret e ndezura aty pranë.

Si gjithmonë të rinjtë që kujdesen që Pjetërshani çdo vit të marrë pamje magjike me dekorimet e ndryshme, kujdesen që gjithashtu të përcjellin edhe një mesazh të bukur.

“Mesazhi të cilin rinia jonë dhe vendi ynë e përcjell përmes këtyre dekorimeve është që njerëzit në Kosovë ta përjetojnë një qetësi shpirtërore, ta përjetojnë botën këtu në vendin e tyre duke u mbledhur për Krishtlindje dhe Vitin e Ri”, tha Ndau.

Pjetërshani është një fshat i banuar shumë kohë më parë rreth 300 vjet, dhe tash ai është një bashkësi famullitare e përbërë nga katër fshatra Pjetërshani, Doli, Raca dhe Kusari dhe Kisha e fshatit.

Fshati Pjetërshan aktualisht ka rreth 70 shtëpi banimi kurse si famulli ka rreth 290 shtëpi. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK