Sunday, July 3, 2022

Magath konfirmon bisedimet me drejtuesit e FFK-së: Jam gati t’i kthehem punës si trajner


Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon të jetë pa trajner, pas largimit të Bernard Challandes në tetor të vitit të kaluar.

Dardanët tani e pesë muaj janë pa përzgjedhës, teksa slloveni Primoz Gliha e udhëhoqi Përfaqësuesen në ndeshjet e muajit nëntor.

Përfaqësuesja e Kosovës do të rikthehet për të luajtur miqësore në muajin mars, ku tanimë janë konfirmuar dy kundërshtarët e radhës, të cilët janë Burkina Faso më 24 dhe Zvicra më 29 mars.

FFK ka lajmëruar se trajneri i ri do të emërohet së shpejti, teksa Felix Magath mbetet favoriti kryesor.

Trajneri gjerman ka konfirmuar bisedimet me Federatën e Futbollit të Kosovës në një intervistë për mediumin gjerman Kicker.

“Kam biseduar me përfaqësuesit nga Kosova. Aty punojnë njerëz të përkushtuar. Unë gjithashtu do të shkoja përsëri në Kinë”, tha Magath.

Ai ndër të tjera për gazetën gjermane ka deklaruar se është i gatshëm t’i kthehet punës si trajner pasi i mungon një gjë e tillë.

68-vjeçari nuk është duke kryer punën e trajnerit që nga muaji maj i vitit 2021 kur ishte si drejtor sportiv tek Wurzberger Kickers.

Ai këtë punë ka kryer edhe tek Admira Wacker në Austri, teksa puna e tij e fundit si trajner ishte në SD Luneng në Kinë në vitin 2017.

Gjermani ka drejtuar skuadra të mëdha si Fulham, Wolfsburg, Schalke 04, Bayern Munich, Stuttgart, Frankfurt, Werder Bremen, Nurenberg e Hamburg.

Gjatë karrierës së tij deri më tani, Magath ka fituar gjashtë trofe, tre tituj të kampionit në Gjermani, dy kupa të shtetit dhe një Superkupë. /Telegrafi/

Lajmet e fundit