Sunday, December 5, 2021

Letra e plotë e shoqërisë civile dërguar SHBA-ve, kërkohet shqyrtimi i ftesës për Kosovën në Samitin e Demokracisë


20 organizata joqeveritare nga Kosova përmes një letre dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar që të shqyrtohet fetsa për Kosovën që të marrë pjesë në Samitin e Demokracisë, i cili do të mbahet në fillim të dhjetorit të këtij viti.

Ky samit organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Telegrafi ka siguruar letrën e organizatave joqeveritare e cila i është dërguar Zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil, në të cilën kanë dhënë arsyet e tyre pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letrën e siguruar nga Telegrafi.

Gjithashtu personat e nënshkruar në emër të organizatave të shoqërisë civile, kanë theksuar se Kosova është një prej shteteve në rajon që është e shqetësuar për autoritarizmin keqdashës si dhe ndikimin e Kinës dhe Rusisë.

“Ne po ashtu e kuptojmë, dhe në disa raste ndajmë zemërimin që SHBA-ja ka me elitat politike të Kosovës, megjithatë ne nuk arrijmë të shohim ndonjë dallim në raportet SHBA-Kosovë që janë thelbësisht kondratiktore, që do të bënte që Kosova të meritonte përjashtimin nga kampi botëror pro-demokracisë. Ne besojmë fuqishëm që pjesëmarrja e Kosovës në samit do të ndihmonte në avancimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në shtetin tonë dhe do të fuqizonte përpjekjet tona për t’i mbajtur përgjegjëse institucionet. Prandaj, ne shpresojmë që Qeveria amerikane do të jetë e gatshme ta rishqyrtojë këtë vendim”, thuhet mes tjerash në letrën e organizatave joqeveritare.

Nënshkruese të kësaj letre, dërguar zyrtarëve të lartë amerikanë, janë Grupi i Ballkanit për Politika, Forumi i Ballkanit, Demokracia Plus, Demokracia për Zhvillim, Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, Instituti GAP, Fondi për të Drejtën Humanitare, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Rrjeti i Grave të Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL, Organizata Çohu, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Sbunker, Inciativ dhe Donika Emini, anëtare e Grupit Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci, samit ky i cili do të mbahet për herë të parë në SHBA.

“Samiti për Demokraci i presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimit e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, kishin deklaruar nga ambasada amerikane në një përgjigje për Telegrafin. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK