Sunday, June 26, 2022

Lautaro flet pas shkëlqimit ndaj Salernitanës: Tani e ka radhën Liverpooli


Interi është rikthyer te fitoret në Serie A pas një kohe të gjatë, më saktësisht që nga 22 janari i këtij viti.

Kampioni në fuqi i Italisë ka mposhtur me rezultat të thellë Salernitanën 5-0, në një ndeshje ku shkëlqeu sulmuesi argjentinas Lautaro Martinez.

Numri 10 i Interit kompletoi ‘het-trickun’ e tij në këtë sfidë, teksa ka folur edhe pas ndeshjes.

“Na mungonte shumë fitorja dhe goli. Shënuam pesë gola dhe jemi shumë të lumtur”.

“Në aspektin personal kam pasur një periudhë të vështirë, sulmuesit jetojnë për gola dhe skuadra kishte nevojë”.

“Unë kërkoj gjithmonë të jap maksimumin, zbrita në fushë me shumë dëshirë dhe inat për të shënuar. Tani është një moment i rëndësishëm i sezonit”, u shpreh Lautaro.

Tutje sulmuesi argjentinas foli edhe për ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampionëve, ku Interi e zhvillon ndaj Liverpoolit dhe Lautaro beson tek përmbysja.

“Besojmë tek përmbysja. Të rikuperojmë energjitë dhe të luajmë për tu kualifikuar”, deklaroi sulmuesi argjentinas.

Interi në ndeshjen e parë u mposhtë nga Liverpooli me 0-2, derisa takimin e kthimit e zhvillojnë të martën në Anfield. /Telegrafi/

Lajmet e fundit