Sunday, June 26, 2022

Latifi: Shëndetësisë i duhet transformim që ka në qendër të vëmendjes pacientin


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë.

Latifi ka treguar për masat e fundit anit-COVID, për ruajtjen e trurit dhe kthimin e profesionistëve shëndetësor që kanë ikur jashtë vendit, për kontratat e specializantëve e kushtet e punëtorëve shëndetësor, për funksionalizimin e spitalit të ri të Pediatrisë e tema të tjera.

Ministri Latifi ka deklaruar se për disa vite shëndetësinë në Kosovë do ta vendosin në binarët që duhet, teksa siç thotë ai qendra e vëmendjes do të jetë pacienti.

“Këtu ka shumë punë, por në dy-tre muajt e ardhshëm, e në dy-tri vjetët e ardhshme shëndetësinë do ta qesim në atë binarin që na duhet”, theksoi Latifi.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, në sistemin që ai e drejton tash e dy muaj, duhet të bëhet transformim e jo reformim.

“Ky transformimi duhet me qenë ku në qendër të vëmendjes do ta ketë pacientin. Duhet me u bazu në evidencë, në të dhënat që i kemi, duhet me u orientu në kërkime shkencore dhe me u fuqizu e udhëheqë nga teknologjia. Nëse nuk e bëjmë këtë nuk do të kemi transformim të shëndetësisë së Kosovës”, thekson ministri.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com / Ridvan Slivova

Po ashtu, ai ka bërë thirrje që të gjithë të jenë të përgjegjshëm dhe shëndetësia të jetë prioritet kombëtar e shtetëror.

“Ne si kolektiv na duhet me qit shëndetësinë si prioritet kombëtar, me prioritet shtetëror. Nëse nuk e bëjmë këtë, ne po humbim kohën. Po sillemi në rreth dhe po menaxhojmë operacione të mëdha me diçka veç sa me ndal gjakun. Na duhet transformim, jo reformim, por transformim”, shpreh Latifi.

Megjithatë, sipas tij, puna e madhe që duhet bërë për transformimin e shëndetësisë merr kohë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com / Ridvan Slivova

Ministri u shpreh se duhet kthyer përgjegjësia tek profesionistët shëndetësor, e po ashtu edhe autoriteti i tyre.

“Çështja më e rëndësishme që ka me qenë në zhvillimin e shëndetësisë në vitet e ardhshme e që kjo nuk mund të bëhet brenda muajve është me i kthy dy elemente të rëndësishme të punëtorëve shëndetësor. Me kthy përgjegjësinë tonë, ai mjek, punëtorë shëndetësor e administrator, por të njëjtën kohë me kthy edhe autoritetin e mjekut, atë të infermieres, sepse ne të tjerët kemi shumë dëshira, e kur je i sëmurë e ke vetëm dëshirën me u shëru. Por, këto nuk bëhen me fjalë, e ndoshta as me ligj, por këtë bëhen me dedikim individual dhe kolektiv të secilit prej nesh”, tha ministri Latifi.

Gjatë kësaj interviste po ashtu është sqaruar edhe çështja e specializantëve me vetëfinancim, e spitalit të Pediatrisë, spitalit të kryeqytetit, masave për luftimin e pandemisë e çështje të tjera. /Telegrafi/

Lajmet e fundit