Tuesday, June 28, 2022

Kryetari Muhaxheri dhe ministri Aliu bisedojnë për finalizimin e Projektit “Borea”


Kryetari i Komunës se Pejës, Gazmend Muhaxheri i shoqëruar nga Nënkryetari i Komunës, Fatmir Asllani dhe Kryesuesi i Kuvendit Rexhep Kurtbogaj kanë pritur në takim pune Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me të cilin kanë biseduar për Hartën Zonale të Komunës së Pejës, Projektin “Borea”, Planin Hapësinor dhe përcaktimin e zonave në Parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna, si dhe Infrastrukturën në Komunën e Pejës.

Sipas njoftimit nga Komuna, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri e ka njoftuar ministrin Aliu për të gjitha procedurat rregullta dhe ligjore në trajtimin e Projektit ‘Borea’, që kanë kaluar edhe në komisionin ndërministror me çka është bërë edhe vlerësimi i ndikimit ne mjedis dhe pas krejt kësaj pa ndonjë arsye është bërë pezullimi.

Sa i përket Parkut Nacional dhe Planit Hapësinor, kryetari Muhaxheri ka thënë se, është një proces i mbetur peng me një ligj të mangët, “prandaj Plani Hapësinor nuk është përfunduar ende, sepse aty duhet të kihet parasysh prona private dhe duhet te përcaktohet me Ligjin e ndërtimit qe kompetencat e hartimit te Planeve Rregulluese Urbane dhe dhënien e lejeve ndërtimore duhet t’i kalojnë Komunës, kurse me projektet infrastrukturore në zonën e parkut po kërkohet pëlqime mjedisore, mendoj pa të drejtë, sepse rrugët janë në interes të banorëve dhe ndikojnë në zhvillimin e turizmit”, transmeton Telegrafi.

Muhaxheri kërkim nga ministri Aliu që mos të pengohet ndërtimi dhe rindërtimi i rrjetit të largpërçuesve dhe linjave të energjisë elektrike, që po kryhen në zonën e Rugovës, në një projekt të përbashkët të Komunës dhe KEDS-it.

Ministri Aliu e falënderoi kryetarin për pritjen dhe shprehu interesim ne trajtimin e këtyre temave qe i ngriti Kryetari Muhaxheri dhe brenda mundësive ligjore të kapërcehen këto pengesa.

Ai kërkoi që në këto procese të jetë pjesëmarrëse edhe Komuna e Pejës me përfaqësuesit e saj, sidomos në Planin Hapësinor të Parkut Nacional dhe në zonën e projektit ‘Borea”.

Kryesuesi i Kuvendit, Rexhep Kurtbogaj kërkoi që gjatë hartimit te Planit Hapësinor të respektohet vullneti i banorëve dhe prona private të përfshihet në zonën e tretë të zhvillimit dhe të ndërtimit, me çka, sipas tij, krijohet mundësia e zhvillimit te turizmit dhe blegtorisë si dy shtylla të zhvillimit të Rugovës.

Pas një periudhe të gjatë, në shtator të vitit 2018 kishte nisur puna për ndërtimin e Kompleksit rekreativo-sportiv “Borea” në Pejë.

Punimet në këtë qendër, që është vetëm 900 metra larg qytetit të Pejës, ku  parashihej të punësoheshin rreth 500 persona, u ndërprenë për arsye të pezullimit të lejes së ndërtimit nga Ministria e Ambientit gjatë Qeverisë Haradinaj.

Arsyet se pse ky projekt ka ngecur për kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, fajtor është politika. /Telegrafi/

Lajmet e fundit