Sunday, July 3, 2022

Krerët e vendeve më të fuqishme në botë ranë dakord për sanksione të reja kundër Rusisë


Ministrat e financave të G7 kanë diskutuar sanksione shtesë kundër Rusisë, e cila tashmë është nën një sërë masash që kanë “pasoja të mëdha” për ekonominë e saj, tha ministri gjerman i financave.

“Ne kemi shkëmbyer propozime për masa shtesë që mund të merren”, tha Christian Lindner pas takimit virtual, duke shtuar se vendimet do të merren “në ditët në vijim” dhe se qëllimi i tyre është ta izolojnë politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht shtetin e Rusisë.

Që nga fillimi i agresionit rus të Ukrainës, vendet perëndimore kanë vendosur një sërë sanksionesh financiare ndaj Moskës, duke përjashtuar bankat ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare të Swift, një pjesë e rëndësishme e financave ndërkombëtare, raporton reuters.

Ata miratuan gjithashtu masa për të parandaluar që banka qendrore e Rusisë të mbështeste monedhën vendase, duke kufizuar qasjen e rublës në tregun ndërkombëtar të kapitalit dhe shtuan emrat e shumë personaliteteve ruse në listën e zezë të individëve, pasuritë e të cilëve jashtë vendit janë ngrirë.

“Kufizimet e bankës qendrore të Rusisë tashmë i kanë tejkaluar pritjet tona (…), rubla është në rënie të lirë dhe arkat e Vladimir Putin janë dëmtuar keq”, tha Lindner, vendi i të cilit aktualisht kryeson G7, ndërsa kanë marrë pjesë edhe Gjermania, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian.

“Këto masa kanë një ndikim të kufizuar tek ne, por ndikimin më të madh të mundshëm në Rusi”, shtoi ai.

Ndryshe, sanksionet kanë dëmtuar shumë ekonominë ruse teksa ka detyruar oligarkët rusë t’i bëjnë thirrje presidentit Vladimir Putinit që të ndalojë agresionin në Ukrainë. /Telegrafi/

Lajmet e fundit