Tuesday, June 28, 2022

Javi Martinez tregon dallimet mes Guardiolës dhe Ancelottit – para derbit në Ligën e Kampionëve


Ish-ylli i Bayern Munichut, Javi Martinez, ka shpjeguar dallimin mes ish-trajnerit të tij Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiolas, të cilët takohen sonte në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Real Madridi i italianit do të vizitojë Manchester Cityn në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve sonte. Don Carlito është bërë trajneri i vetëm që ka arritur në top katërshen evropiane në katër dekada, ndërsa spanjolli synon finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve.

“Për mua ata janë përfaqësuesit më të mirë të brezave të tyre. Nga të gjithë kolegët e Ancelottit, askush nuk ka mbetur në biznes tani. Pep është trajneri më i mirë i kësaj gjenerate, duke përfshirë Luis Enriquen, Thomas Tuchel, Mauricio Pochettinon dhe Klopp. Njerëz që kanë ndryshuar futbollin. Ata janë të gjithë shumë të ndryshëm nga Ancelotti”, potencoi ish-reprezentuesi spanjoll për La Gazzetta dello Sport.

Martinez është nën kontratë me Katar SC dhe ka punuar me të dy trajnerët në Bayern Munich. Ai luajti 42 ndeshje nën Ancelottin dhe 64 me Guardiolën në krye.

“Guardiola ka një mënyrë unike për të analizuar futbollin. Ai mund të parashikojë se çfarë ndodh në fushë”, shtoi ai.

“Ju luani duke ditur se çfarë duhet të bëni dhe çfarë do të bëjë skuadra kundërshtare. Është një avantazh i madh. Shtoni taktikat e tij dhe skemat e presionit dhe Pep bëhet pothuajse i pamposhtur”.

“Kisha një lidhje të ngushtë me të, sepse ne flasim të njëjtën gjuhë, por raporti me Carlon ishte i ndryshëm. Ai është si një baba, ai kujdeset shumë për lojtarët e tij. Pep është më i ngurtë dhe më i fokusuar në analizën e videove, por një ekip ka nevojë për disiplinë. Pep kishte më shumë kontroll se Carlo, asgjë e madhe, por ishte e dukshme”.

Bayern dhe Napoli e shkarkuan Ancelottin para periudhës së tij te Evertoni. Shumë ishin të befasuar kur e panë atë të kthehej në Madrid verën e kaluar, por ish- trajneri i Milanit është afër fitimit të La Ligës për herë të parë.

Ai do të bëhej trajneri i parë që fitoi tituj në Spanjë, Francë, Angli, Gjermani dhe Itali.

“Fakti që Carlo është ende atje, duke luftuar për një objektiv të madh, e ngre atë në Olimpin e historisë së futbollit, tregon shumë se sa i mrekullueshëm është dhe sa mirë punon”, deklaroi më tej Martinez.

“Ai është një trajner i zgjuar, ai e njeh mirë futbollin. Ai u kthye në Madrid, duke i dhënë një jetë të re një skuadre që kishte humbur Sergio Ramos dhe Raphael Varane pas Ronaldos. Njerëzit ishin skeptikë, por ai është afër fitimit të La Ligës dhe ka arritur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”.

“Carlo e di se çfarë kanë nevojë skuadrat. Kur më pyesin se kush është trajneri më i mirë në botë, gjithmonë them Guardiola, por për një lojtar është e rëndësishme të punosh me trajnerë që dinë të marrin më të mirën nga ti dhe kurrë nuk jam ndjerë aq mirë sa nën Carlon. Jo vetëm në aspektin futbollistik, por edhe personal. Besoj se ai është më i miri nga të gjithë”.

Djali i tij Davide është bërë ndihmës i tij, sa i dobishëm është ai?

“Shumë, futbolli ndryshon vazhdimisht. Procesi i evolucionit nuk ndalet kurrë dhe është më e vështirë të përshtatesh për trajnerët më të vjetër. Davide plotëson Carlo dhe e ndihmon atë të kuptojë evolucionin e futbollit. Davide është i jashtëzakonshëm: i përgatitur, serioz, një person i shkëlqyer, si babai i tij”, ka shtuar më tej Martinez. /Telegrafi/

Lajmet e fundit