Wednesday, June 29, 2022

Imazhet satelitore tregojnë se Arabia Saudite po ndërton raketa balistike me ndihmën e Kinës


Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë vlerësuar se Arabia Saudite tani po prodhon në mënyrë aktive raketat e veta balistike me ndihmën e Kinës, një zhvillim që mund të ketë efekte të rëndësishme në Lindjen e Mesme.

Arabia Saudite dihet se ka blerë raketa balistike nga Kina në të kaluarën, por kurrë nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë të sajat – deri më tani, sipas tre burimeve të inteligjencës amerikane.

Imazhet satelitore të marra nga CNN sugjerojnë gjithashtu se Mbretëria aktualisht po prodhon armët në të paktën një vend.

Zyrtarët amerikanë të agjencive të shumta, duke përfshirë Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, janë informuar muajt e fundit rreth teknologjisë së ndjeshme të raketave balistike midis Kinës dhe Arabisë Saudite.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden tani po përballet me pyetje gjithnjë e më shpeshta se nëse përparimet e raketave balistike të Arabisë Saudite mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike dinamikën e fuqisë rajonale dhe të komplikojnë përpjekjet për të zgjeruar kushtet e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, e cila përfshinte kufizimet në teknologjinë raketore – një qëllim i përbashkët i SHBA-së, Evropës, Izraelit dhe vendeve të Gjirit.

Ndryshe, Irani dhe Arabia Saudite janë armiq dhe kjo do të bëjë që iranianët të mos pranojnë të ndalojnë prodhimin e raketave balistike nëse Arabia Saudite ka filluar të prodhojë të vetën. /Telegrafi/

Lajmet e fundit