Sunday, June 26, 2022

Historia e kishës së Letnicës nga e cila Nënë Tereza filloi rrugëtimin e saj si motër misionare


Shtrihet në pjesën juglindore të Kosovës, aty ku iu siguron banorëve të saj një jetesë të thjeshtë dhe të qetë. Është ky fshati Letnicë i komunës së Vitisë, fshati që tërheq shumë vizitorë për shkak të pamjes së bukur nga e cila rrethohet.

Mirëpo është kisha e Letnicës,  pikërisht ajo që e bënë edhe më të bukur dhe më atraktive për vizitorët këtë fshat.

Famullitari i kësaj kishe Don Marjan Demaj për Telegrafin tha se Letnica qysh në vitin 1500 ka qenë e banuar madje sipas tij ky vend ka qenë i pasur edhe me xehe ngjashëm me Trepçën dhe Novobërdën.

“Ju momentalisht jeni në Letnicë. Letnica është në pjesën juglindore të Kosovës që është pothuajse në kufi me Maqedoninë e Veriut. Si fshat Letnica përmendet qysh në vitin 1500 që ka pasur banorë në këtë vend. Dhe sipas disa pllakave të varrezave qe i kemi gjetur aty shohim se janë varrosur disa njerëz të cilët kishin qenë nga Raguza, Dubrovniku. Pastaj nga historia e mëtutjeshme kemi argumente dhe shkrime që këtu sikurse në Novobërdë dhe Trepçë ka pasur xehe dhe miniera në të cilat njerëzit kanë punuar dhe ekspertët e këtyre pasurive kanë qenë nga Raguza kurse punëtorët ishin nga Bosnja dhe në bazë të situatës në vendin tonë për shkak të shumë luftërave dhe për shkak të Perandorisë Osmane nuk ka mundur të zhvillohen edhe shumë këto xehe dhe janë mbyllur minierat pastaj kanë mbetur pa punë”, tregoi ai.

Don Marjani duke folur me shumë kënaqësi për fshatin ku jeton dhe vepron, nuk kishte si mos ta përmendte edhe kishën e Letnicës në të cilën gjendet edhe shtatorja e “Zonjës së Bekuar” apo Zonjës së Letnicës, e cila sipas tij bartë një histori rreth 400 vjeçare.

“Kjo kishë është ndërtuar në vitin  1927 deri 1933. Veçori e kësaj kishe është se vizitohet shumë nga njerëzit pa dallim katolik ose myslimanë apo të feve të ndryshme. Edhe ata që ndoshta nuk besojnë vijnë e vizitojnë këtë vend, vijnë këtu dhe ndihen mirë, jo vetëm prej pikëpamjes që ka vërtetë një natyrë të bukur por edhe prej vetë kishës, sepse kjo kishë është më e veçantë sepse është shenjëtare dioqezane dhe mund të themi se këtë kishë ne katolikët e kemi të parën këtu në Kosovë në të cilën gravitojnë shumë njerëz. Të veçantë e bënë po ashtu truporja e “Zonjës së Bekuar”, që sipas ekspertëve është rreth 400 vjet e vjetër”, thekson Don Marjani.

Don Marjani tutje rrëfeu edhe “fuqinë” e “Zonjës së Bekuar”, ku sipas tij shtatorja e saj kishte qëndruar në malin e Letnicës, për më shumë se 200 vjet. Derisa një dritë e ardhur vazhdimisht prej saj i ka nxitur banorët ta gjejnë dhe ta dërgojnë në kishë.

“Kjo trupore ka qenë në vitin 1960 në Shkup. Mirëpo aty kur ka ndodhë një luftë midis austro-hungarezëve dhe turqve, austro-hungarezët e kanë humbur luftën dhe katolikët është dashur të largohen nga Shkupi dhe kanë ardhur në këto male këtu. E këtë trupore e kanë sjell me vete. Thuhet se kjo trupore rreth 200 vjet ka qëndruar në mal sepse nuk kishin ku ta vendosnin. Derisa vetë banorët e kanë parë një dritë që po vije prej saj, pastaj banorët e kanë gjetur dhe e kanë pru dhe e kanë vendosur në kishë këtu”, vazhdon të rrëfejë ai.

E një fakt tjetër i cili e bënë edhe më të veçantë kishën e Letnicës është se pikërisht në këtë kishë, Nënë Tereza e kishte filluar rrugëtimin e saj si motër misionare më 14 gusht 1927 kur edhe kremtohet festa e Zonjës së Letnicës.

“Këtë kishë e ka vizituar edhe Nënë Tereza, si e re si vajzë sepse këtu pelegrinazhi bëhet gjatë verës sepse festa e “Zonjës së Bekuar” festohet me 15 gusht me dhjetëra mijëra njerëz vijën në këtë vend, pra gushti është shumë aktiv edhe sot e kësaj dite. Dhe pikërisht në këtë kohë Nënë Tereza ka ardhur në këtë vend me familjen e vet dhe me 14 gusht të vitit 1927 në këtë kishë ajo ka vendosur të bëhet motër misionare dhe nga ky vend e ka filluar misionin e saj. Kjo për neve është shumë e rëndësishme dhe për nder të saj ne këtu në kishë e kemi një trupore të saj që na rikujton që ajo e ka vizituar këtë vend ”, rrëfen krenari Don Marjan Demaj.

Në anën tjetër jeta është bërë dinamike më shumë se kurrë dhe njerëzit po përballen me shumë probleme të ndryshme jetësore të përditshme, Don Marjan Demaj pohon faktin se njerëzit e vizitojnë këtë kishë për shkak se kanë nevojë për qetësi.

“Unë jam dëshmitarë se tash e dy vite unë e udhëheq këtë kishë jam famullitar dhe rektor i shenjtërores. Jam dëshmitarë të asaj se shumë njerëz vijnë këtu me nevoja të ndryshme. Sot jeta është bërë shumë e vështirë për arsye se ritmi i jetës është i shpejtë dhe njerëzit kanë nevojë për qetësi sepse janë të ngarkuar nga problemet e ndryshme jetësore. Dhe ju mund ta shihni vetë që këtu prapa ka shumë lutje dhe ka kërkesa të ndryshme të shumë njerëzve që vërtetë janë në vështirësi të ndryshme dhe kërkojnë një bekim dhe këshillë prej meje”, përfundoi famullitari Demaj./Telegrafi/

Lajmet e fundit