Sunday, July 3, 2022

Është pronar i Valladolidit dhe ka aksione në klubin brazilian, por ‘Fenomeni’ Ronaldo blen edhe një tjetër klub të madh


Legjenda braziliane Ronaldo vazhdon të jetë i lidhur me futbollin edhe 11 vite pas pensionimit nga sporti më i bukur në botë.

Ronaldo tani e sa vite është president i skuadrës spanjolle Real Valladolid, por tani ai ka blerë një tjetër ekip.

45-vjeçari ka blerë 90 për qind të aksioneve të skuadrës brazilane Cruzeiro, skuadër e cila ishte e para në karrierën fantastike të brazilianit.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 8 prill, derisa zyrtarizimi i kësaj erdhi vetëm ditën e sotme nga faqja zyrtare e klubit brazilian.

Legjenda braziliane është tani president i dy skuadrave, Valladolidit në Spanjë dhe Cruzeiros në Brazil.

Përpos kësaj, Ronaldo ka një pjesë të aksioneve edhe tek klubi amerikan Fort Lauderdale Strikers.

Pas zyrtarizimi të marrëveshjes, vet legjenda braziliane ka folur duke zbuluar edhe objektivat që ka me klubin që ka blerë Crueziron.

“Ne kemi objektiva për një periudhë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. E dimë se na pret një perspektivë shumë e vështirë pune, por besojmë se do ta kthejmë Cruzeiron të funksionojë dhe të japë rezultate”.

“Jam i nderuar që jam në gjendje të drejtoj procesin e rindërtimit të klubit. Tifozëve dua t’u them se ne nuk do të ndalemi derisa të zbatojmë gjerësisht një etikë dhe model efikas menaxhimi që çon drejt suksesit sportiv”, u shpreh braziliani Ronaldo.

Ish-anëtari i PSV, Barcelonës, Interit, Real Madridit e Milanit ka blerë klubin spanjoll Real Valladolid në shtator të vitit 2018, ku zotëron 51 për qind të aksioneve dhe mbanë postin e presidentit të këtij klubi.

Cruzeiro është katër herë kampion o Brazilinit, derisa ka fituar gjashtë Kupa të shtetit. Përveç 10 trofeve vendorë, klubi i ri i Ronaldos ka fituar edhe dy herë Copa Libertadores.

Ronaldo debutimin në ekipin e parë në futbollin profesionist e kishte bërë pikërisht te Cruzeiro, derisa tani është rikthyer për ta blerë klubin që i dha famën para se të transferohej në futbollin evropian.

Vendimin e Ronaldos për ta blerë klubin e fëmijërisë së tij e kanë përshëndetur adhuruesit e futbollit, pasi Ronaldo tregoi dashurinë dhe respektin për klubin e tij të zemrës. /Telegrafi/

Lajmet e fundit