Tuesday, June 28, 2022

E pazakontë në Arabinë Saudite – 28 mijë gra dëshirojnë të punojnë si shofere të trenit


Mbi 28 mijë gra aplikuan për punën e shoferit të trenit në Arabinë Saudite. Kjo tregon se sa shumë janë të gatshme gratë të rrisin rolin e tyre në këtë vend konservator.

Operatori hekurudhor spanjoll, Renfe deklaroi se analiza e arritjeve akademike dhe njohja e detyrueshme e anglishtes e zvogëloi numrin e kandidatëve pothuajse përgjysmë. Aplikacionet e mbetura do të lexohen deri në mes të marsit.

Kandidatët e përzgjedhur do të udhëtojnë mes Mekës dhe Medinës pas një viti trajnimi me pagesë. Renfe aktualisht punëson gjithashtu 30 burra, dhe 50 aktualisht janë duke kaluar nëpër trajnime, raporton aljazeera.

Deri vonë, gratë nga Arabia Saudite mund të punonin vetëm si mësuese, infermiere dhe të ngjashme për shkak të rregullave strikte të ndarjes gjinore. Deri në vitin 2018, ata nuk lejoheshin të drejtonin një veturë.

Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është pothuajse dyfishuar në pesë vitet e fundit mes përpjekjeve të qeverisë saudite për të përmirësuar zhvillimin ekonomik. Gratë tani po marrin punë që dikur ishin “të rezervuara” për burrat.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve pozitive, përqindja e grave që punonin në Arabinë Saudite ishte ende rreth gjysma më e ulët se burrat në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. /Telegrafi/

Lajmet e fundit