Saturday, November 27, 2021

Dyqani i profesorit të historisë me eksponate antike


Në Mitrovicë gjërat antike vazhdojnë të ruhen me fanatizëm të madh. Një dyqan i mbushur më gjëra që datojnë qindra vite më parë janë në shitje dhe mund të vizitohen nga qytetarët.

Dyqani është në pronësi të profesorit të historisë, Fidan Mehmeti, i cili thotë së me grumbullimin e gjërave antike merret që 10 vite.

Mehmeti në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se qytetarët kanë shumë interesim për të parë gjërat e vjetra antike.

“Ne me këtë profesion merremi që 10 vite, ajo çka me kë shty më tepër nga ana profesionale është si profesor i historisë dhe kaloj në atë si mozaik, pastaj më ka rënë në mend që të hapi një dyqan të tillë në Mitrovicën ku jetojmë. E kanë prit mirë këtë aktivitet tonin dhe po shpresoj se ka me pas sukses”.

“Interesimi i qytetarëve është shumë i madh, për arsye se këto gjëra janë lënë pak anash, për shkak se ana moderne e ka thy anën klasike, por gjithmonë duke menduar që nuk do të harrojmë të kaluarën, dhe kjo nostalgji i ka nxitur qytetarët e Mitrovicës të vijnë dhe ta vizitojnë këtë dyqan edhe nxënësit e shkollave, po ashtu edhe qytetarët e vendeve tjera të vijnë dhe të blejnë gjëra antike. Ora të murit e piktura të ndryshme dhe libra, kështu që jemi të kënaqur me aktivitetin tonë”, ka thënë ai.

Mehmeti duke treguar për gjërat që posedon në dyqan, tha se ka piktura të vjetra nga vendet e ndryshme të botës, e po ashtu dhe të vendit tonë.

“Kemi prej antikitetit duke përfshirë monedha ilire romake e greke e bizantine, por edhe ato bashkëkohore. Dyqanin tonë mund të vijnë qytetarët dhe të shohin gjëra klasike, mullinj të kafesë,  telefona të vjetër, fotoaparate të vjetër”, potencoi ai.

Mehmeti shtoi tutje se gjërat antike kanë vlera historike.

“Që 10 vite merrem me këtë aktivitet dhe gjërat kanë ardhur edhe nga vendet skandinave të Evropës, i porositi dhe kam nostalgji të kemi një gjë antike”, ka thënë mes tjerash ai.

Mehmeti potencoi se gjërat klasike duhet të vlerësohen më shumë nga qytetarët.

“Gjërat klasike kanë qenë më natyrale prej druri tash ka ndyshu sistemi i njerëzimit, krejt është riciklim pra janë edhe kancerogjene, plastikë. Këto gjëra vetëm duhet me i pastru, restaurimin duhet të ia bëjmë dhe janë perfekt. Mirëmbajtja merr kohë.  Mesazhi im është që qytetarët ta vizitojnë dyqanin dhe gjithë ato gjëra që nuk duan t’i mbajnë në shtëpi mund t’i sjellin dhe t’i vlerësoj. Duke përfshirë ato të periudhës romake, byzylyk të ndryshëm, qafore etj”, ka pohuar ai.

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK