Friday, January 28, 2022

Dy yjet e kinematografisë botërore, Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus bëhen producente ekzekutive të filmit “Zgjoi”


Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus janë bërë pjesë e filmit “Zgjoi” të regjisores nga Kosova, Blerta Basholli si producentë ekzekutive.

Partneret e “Love & Squalor Pictures” do të udhëheqin kampanjën për hyrjen e filmit “Zgjoi” në ndarjen e çmimeve “Oscar”, për filmin më të mirë të huaj, shkruan Deadline.

“Zgjoi” tregon historinë e vërtetë të Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë nga gratë e tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve 1990. Për të siguruar familjen e saj në vështirësi, ajo mbledh të vejat e tjera në komunitetin e saj për të nisur një biznes që shet ajvar, një produkt ushqimor vendas nga specat dhe patëllxhanët, dhe së bashku ata gjejnë shërim dhe ngushëllim duke menduar për një të ardhme pa burrat e tyre.

Foto: Zgjoi

Kur filmi debutoi në konkurrencë këtë vit në Sundance, ai u bë i pari në historinë e festivalit që fitoi të tre çmimet kryesore—përfshirë Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin e Audiencës dhe Çmimin e Regjisë—në Konkursin Botëror të Kinemasë Dramatike.

Yll Uka, Valon Bajgora dhe Agon Uka prodhuan dramën e xhiruar nga Alex Bloom, me Britta Rindelaub, Tomi Salkovski dhe Paskal Semini bashkëproducente. Moss dhe McManus i bashkohen Yll Ukës, Agon Ukës dhe Valon Bajgorës si producentë ekzekutiv.

“Zgjoi është një histori e paharrueshme, elokuente prekëse për vullnetin e mbijetesës dhe fuqizimit përmes një vizioni të patundur,” thanë Moss dhe McManus në një deklaratë të përbashkët.

“Portretizimi intim i luftës së një gruaje drejt pavarësisë në film na shtyn të kuptojmë mundësinë e ndryshimit dhe tregimi i fuqishëm i Blertës kap me mjeshtëri vetëvendosjen e individëve në të gjithë botën për të kapërcyer shtypjen”, thanë tutje ato.

Foto: Zgjoi

Ndërsa, regjisorja e filmit u shpreh se gjithmonë e ka admiruar punën e tyre dhe se ndihet e nderuar që ato do jenë partnere në këtë film.

“Unë e kam admiruar prej kohësh punën e Elisabeth Moss dhe jam e nderuar që ajo dhe Lindsey McManus na janë bashkuar si partnerë në projektin tonë. Nuk mund të jem më krenar apo më e emocionuar”, ka thënë Basholli.

“Në themel të Zgjoi, Fahrije Hoti ishte në gjendje të kapërcejë vështirësitë dhe të ndërtojë biznesin e saj për shkak të mbështetjes së grave në komunitetin e saj. Të kem mbështetjen e Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus si partnerë në ndarjen e historisë së Fahrijes, më lumturon pafund. Zgjoi ka të bëjë me dhënien e shpresës, dhe rrugëtimit të këtij filmi sapo i është dhënë edhe më shumë shpresë me këto gra të mrekullueshme që i bashkohen ekipit tonë”, u shpreh tutje Basholli. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK