Monday, November 29, 2021

Dialogu me Serbinë, Bislimi: Kemi hapa konkretë për çështjen e targave të automjeteve


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është deklaruar rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Bislimi në emisionin “Përpallje” në Telegrafi.com tha se edhe për punën e targave, Bashkimi Evropian ka arritur të sqarojë disa paqartësi, të cilat kanë qenë nga ana e ekipit serb.

“Kemi hapa konkret tek puna e targave. Janë diskutuar propozime konkrete dhe mendoj që është bërë një avancim sepse pala e Brukselit ka arritur të shmangë disa paqartësi tek pala serbe në lidhje natyrën e marrëveshjes”, tha Bislimi.

Bislimi ka potencuar se janë viktimë e gabimeve që janë bërë në të kaluarën, pasi sipas tij, gabimi i parë është bërë kur është pranuar që çështja e energjisë elektrike në veri të Kosovës të trajtohet si çështje politike.

“Nuk ka askund në botë ku pagesa e një shërbimi publik trajtohet nga dimensioni politik, është thjeshtë transaksion, ku qytetari merr një shërbim dhe paguan koston”, tha ndër tjera Bislimi.

Ai tha se tash do të merren me minimizim të dëmit dhe licencimin e një operatori tjetër duke u kujdesur duke mos prekur në distribuim dhe transmision të energjisë.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri ka deklaruar se qëndrimi i palës kosovare është që të ketë trajtim të barabartë sa i përket çështjes së targave.

“Qëndrimi ynë ka qenë të gëzojmë një trajtim të barabartë, principi i reciprocitetit dhe ne si rezultat i këtij principi kemi vendosur që veturat që hyjnë nga Serbia të detyrohen të pajisen me targa të përkohshme dhe njëkohësisht kemi filluar konfiskimin e tabelave ilegale me shkurtesat e tabelave që determinojnë qytetet e Kosovës. Si zgjidhje të ndërmjetme kemi pranuar një reciprocitet të ri, ku tabelat nuk janë pajisur me tabela të përkohshme, por ato simbole janë mbuluar me stikersa të bardhë dhe njëkohësisht kemi siguruar që të gjitha tabelat që nxirren në Serbi në Kosovë të trajtohen si tabela ilegale”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi gjatë intervistës për Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

“Si hap i tretë, kemi filluar me zgjidhjen e përhershme… e dimë që zgjidhja e përhershme duhet t’i akomodojë disa kritere”, është shprehur ai.

Bislimi në “Përpallje”, potencoi se zgjidhja finale për çështjen e targave duhet të jetë në bazë të standardeve dhe praktikave me të mira të Bashkimit Evropian.

“Zgjidhje finale duhet të jetë në bazë të standardeve dhe praktikave më të mira brenda Bashkimit Evropian, të atyre që janë tani në përdorim, jo të standardeve që BE mund të kenë pasur pas luftës së dytë botërore.

Në qoftë se standardet më të mira të BE-së, vijnë në përfundim që as tabelat e Kosovës dhe as ato të Serbisë nuk i plotësojnë këto kritere, dhe duhet të ketë modifikime, atëherë ato duhet të jenë të dy anshme, d.m.th edhe Serbia duhet t’i ndërrojë tabelat, edhe Kosova”, ka thënë mes tjerash Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi gjatë emisionit është deklaruar edhe për takimet e fundit që ka pasur në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, duke thënë se një takim trepalësh nuk u zhvillua për shkak se Serbia kushtëzoi takimin duke futur në agjendë temën e asociacionit. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK