Monday, November 29, 2021

Debate e përplasje të ashpra për gazsjellësin amerikan – krejt çka ndodhi në mbledhjen e sotme të Kuvendit


Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, lidhur me projektin e gazsjellësit të financuar nga Zyra e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), është karakterizuar me debate të nxehta e përplasje të shumta mes deputetëve të opozitës dhe kabinetit qeveritar.

Deputetët opozitarë kritikuan Qeverinë se me refuzimin e projektit të gazsjellësit po ia mbyll dyert aleatëve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa kryeministri i vendit, Albin Kurti theksoi se marrëdhëniet me SHBA nuk qëndrojnë “të varura nga një pe që mund të shkëputet”.

Kurti në seancën e sotme të Kuvendit deklaroi se Kosova nuk ka humbur asnjë fond nga projektet e MCC-së për energjinë, dhe se frika dhe paniku për prishje të marrëdhënieve me SHBA janë të pavenda, transmeton Telegrafi.

“Nuk na kanë humbur asnjë fonde dhe s’ka dëmtim të raporteve me SHBA-në. Frika dhe paniku i tillë janë të pavend, s’ka nevojë askush t’i ketë dhe t’i shpreh publikisht t’i përcjell te të tjerët. Unë së paku një herë në javë e takoj ambasadorin amerikan. Sot kam takim po ashtu, nëse viti i ka 52 javë, unë e takoj 52 herë në vit. Rregullisht jemi në kontaktet me gjitha temat. Nuk është as aleanca dhe as partneriteti me SHBA dhe sigurinë kombëtare në njërën anë dhe as ai ekonomik dhe zhvillimor në anën tjetër i varur në pe. Nuk qëndron partneriteti jonë i varur për një pe që tash mund të shkëputet shumë shpejt. Prandaj ju lus të gjithë të keni më shumë besim në aleancën dhe partneritetit me SHBA-në”, tha Kurti.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, lidhur me refuzimin e projektit të gazsjellësit.

Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet pikërisht për këtë çështje, tha se mbyllja e derës ndaj SHBA-së në kushte normale do të nënkuptonte se Qeveria ka alternativë shumë më të mirë sesa ky opsion.

“Projekt mjaft rëndësishëm. Mbyllja e derës ndaj aleatit tonë të përjetshëm në kushte normale do të nënkuptonte se qeveria ka një alternativë shumë më të mirë sesa të këtij opsioni. Në asnjë rrethanë ne nuk guxojmë të dyshojmë në projekte të argumentuara. Duke i ditur pengesat në zhvillim ekonomik dhe furnizimin e pamjaftueshëm me energji, është e logjikshme që t’i jepet garanci dhe të vazhdohet me projekte për gazsjellësin”, ka thënë Haradinaj.

Që raportet me SHBA-në nuk janë rrezikuar deklaroi edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Rizvanolli duke diskutuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me projektin e gazit që përkrahet nga Shtetet e Bashkuara, është shprehur se granti i MCC-së prej 200 milionë dollarë nuk është humbur.

“Dua të qartësoj që SHBA-ja dhe agjencitë e saj, Bashkimi Evropian në mënyrë bilaterale jo vetëm që na kanë përkrahur në ekspertiza, analiza dhe këshilla, por janë zotuar për të na përkrahur për një tranzicion energjetik”, ka deklaruar ajo, përcjell Telegrafi.

Ajo shprehet se me asnjë institucion amerikan nuk janë rrezikuar apo dëmtuar marrëdhëniet.

“Rreth grantit të MCC-së dhe grantit dhe opsionit të përdorimit të gazit ka shumë keqinformim dhe paqartësi. Granti i MCC-së prej 200 milionë dollarë nuk është humbur dhe nuk ka pasur asnjë moment të vetëm që granti është rrezikuar. Marrëdhëniet me MCC-së, SHBA-në e asnjë institucion tjetër amerikan nuk është rrezikuar apo dëmtuar për asnjë moment”, ka përfunduar ajo.

Debati për gazsjellës shkaktoi një përplasje edhe mes deputetit të LVV-së, Dimal Basha dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Deputeti i LVV-së, Dimal Basha ka thënë se projekti nuk është pezulluar.

“Këtu u tha që nuk kemi numra dhe studime, dhe kjo është arsyeja pse nuk ka pasur avancim më tutje në këtë projekt sepse nuk kaq pasur studim. Nuk mundemi paushall me ec me një projekt. Keni thënë janë humbur 200 milionë, del ministrja thotë që nuk janë hup janë ridestinu janë marrë vesh edhe vetë MCC ata amerikanët që ju po i thirrni Haradinaj ka dalë kanë thanë që janë ridestinu, ti del e vazhdon me keqinterpretua”, ka thënë Basha.

Pas kësaj ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Se kom dit që keni shumë të mençur në VV, jau zbulova edhe një. Përpos atij “Miss Gjyshja” e “Akademik Bahtiri” e paskit edhe  edhe një. Për besë pe kuptoj pse qenka ky rezultat në Prizren, nëse niveli i tij ju përfaqëson në Prizren kuku për juve. Nuk kam çfarë i them këtij sepse niveli i tij nuk meriton asgjë”, tha Haradinaj.

Një moment përplasjeje është parë edhe mes deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe U.D së shefes së GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Haradinaj e filloi këtë debat duke thënë se Kusari Lila kishte bërë deformim të fakteve gjatë diskutimit, deklaratë kjo që nxiti reagimin e deputetes së LVV-së.

“Zonja Kusari-Lila bëri deformim faktit, ajo tha është rrit çmimi në Evropë, kriza është shkaktuar prej gazit. Po është gazi rus bre Mimozë, na nuk jemi tu u kyç në atë gaz, nuk jemi tu u bo pjesë e asaj krize, është gazsjellës tjetër pikërisht kundër atyre”, u shpreh Haradinaj teksa po diskutonte për strategjinë e gazjellësit.

Ndërkaq, në replikën e saj, U.D e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila iu drejtua Haradinajt me fjalët: “Nuk ia futa unë, por ti po ia fut”.

“Ramush aspak unë s’ia futa, por ia ke fut ti kur ke nënshkru këtë kërkesë për debat sot”, u shpreh Kusari-Lila.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, thotë se raporti i Kosovës me Amerikën nuk është çështje çmimi, por çështje strategjike dhe afatgjate.

Ai në seanën e Kuvendit gjatë diskutimit të projektin e gazsjellësit amerikan, kërkoi nga ekzekutivi që kjo cçështje të rikthehet për diskutim në parlament dhe të ratifikohet, njofton Klankosova.tv.

“Ju lutem mos e reduktoni në çështje të çmimit, sepse po të reduktohej në çështje të çmimit, unë jam i sigurt që as intervenimi i NATOS në Kosovë nuk do të ndodhte. Çështje të tilla duhet pa përtej aspektit ekonomik, ndoshta më së paku në aspektin ekonomik, edhe në kontekst të sigurisë dhe fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtarë.” u shpreh Selmanaj.

Tutje ai tha se Kosova çdo herë kur i ka pas punët mirë me amerikanët, ka përfitu si shtet.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në fjalën e tij rreth çështjes së gazsjellësit amerikan të financuar nga MCC ka thënë se është mirë që është ngritur ky debat, pasi sipas tij, më herët qeveria ka thënë se ende nuk ka informacion të bollshëm në lidhje më këtë projekt  dhe se është duke analizuar projektin e MCC-së.

Tutje, Shala thumboi qeverinë, ku tha se “duke u nisur nga fakti se është qeveri e re e pa përvojë, u pajtuam që të presim edhe informacionet bazike të qeverisë”, transmeton Klankosova.tv.

“Projekti i gazsjellësit është infrastrukturë bazike energjetike. Për ta refuzuar këtë shtrirje, është t’i thuash jo bashkëpunimit strategjik me SHBA-të dhe është t’i thuash po gazsjellësit rus”, është shprehur Shala.

Pas shumë debateve e përplasjeve, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë miratuar rezolutën e prezantuar nga AAK-ja, për projektin e gazsjellësit në Kosovë.

Me 46 vota kundër dhe vetëm 21 vota për, rezoluta dështoi të miratohet në legjislativ, ani pse në fillim iniciuesi i debatit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kërkoi një konsultë paraprake për të gjetur konsensus brenda grupeve parlamentare.

Rezoluta e propozuar nga AAK dhe e përkrahur nga e tërë opozita:

REZOLUTË

1.Obligohet Qeveria e Kosovës të përcaktohet për alternativat strategjike të furnizimit me energji dhe në afat sa më të shkurtër ta revidoj Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026.

2.Ta informojë Kuvendin e Republikës së Kosovës për alternativat e furnizimit me energji me informata të detalizuara ekonomike dhe strategjike.

3.Të bashkëpunojë me MCC si Agjenci Federale e SHBA-të që të zgjidhen sa më parë dilemat e panevojshme të cilat i keni vendos me veprimet e fundit.

4.Të merren veprime konkrete për të mundësuar që buxheti prej 200 milion i destinuar nga Administrata Biden të shfrytëzohet sipas marrëveshjeve të deritashme me MCC dhe studimeve që janë bërë nga ata deri me tani

5.T’i kërkoni falje Administratës Biden, Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe qytetarëve të Kosovës për dëmtimet eventuale të raporteve me SHBA-të dhe të merrni veprime konkrete për rivendosjen e raporteve të sinqerta.

Pas përfundimit të debatit, kryetari i Kuvendit përmbylli punimet e seancës plenare, ku tha se njëjta seancë do të vazhdojë nesër në orën 10:00. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK