Thursday, January 27, 2022

Bashkim Zeneli zjarrfikësi që natën e Vitit të Ri e pret në punë: Ndonjëherë nuk mundemi të festojmë fare sepse jemi në krye të detyrës


Është nata më speciale e vitit kur të gjithë mblidhen në ambientet e ngrohta familjare duke i numëruar minutat deri në ardhjen e Viti të Ri, e po ashtu janë të mbushur plotë shpresë se viti që po vjen do të jetë shumë më i mirë sesa ai që e kanë lënë pas.

Mirëpo jo gjithkush e ka fatin e njëjtë, t’i shijoj ushqimet e shijshme dhe atmosferën festive në shtëpi, duke cakërruar gotat dhe duke u uruar me më të dashurit e tyre.

Bashkim Zeneli që profesionin e zjarrfikësit e ushtron tash e më shumë se 20 vjet, thotë që nuk është e lehtë të punojë natën e Vitit të Ri dhe se kishte punuar edhe viteve të tjera në këtë natë, dhe se tanimë në njëfarë forme ai dhe familja e tij janë mësuar me këtë gjë.

“Kisha dashur të ua uroj të gjithë qytetarëve në Kosovë festat e fund vitit e posaçërisht Vitin e Ri. Edhe pse ne nuk mundemi të festojmë për shkak se jemi kujdestar këtu në brigadën e zjarrfikëseve, çdo herë me nga një ndërrim edhe kur ka festa sidomos për Vitin e Ri jemi më të angazhuar jemi komplet një ekip këtu në këtë njësi. Për mua nuk është viti i parë që e festoj, ne kemi festuar edhe vitet të tjera më përpara. Mua familja kryesisht më mungojnë por janë adaptuar edhe ne edhe familja sepse ata e dinë punën tonë dhe e dinë orarin tonë”, tregon Bashkimi.

Foto Facebook: Bashkim Zeneli, zjarrfikës

Pavarësisht këtyre ai së bashku me gjashtë kolegët e tij që e mbajnë ndërrimin e natës në brigadën e zjarrfikëseve në Prishtinë, thotë që ka raste kur edhe nuk e kanë festuar fare natën e ndërrimit të mot moteve për shkak të incidenteve që kanë ndodhur në terren dhe është dashur të intervenojnë.

“E ne, Vitin e Ri e festojmë kryesisht me shokë e që për fat të keq, jemi në numër i vogël i zjarrfikësve në këtë ndërrim gjashtë ose shtatë vetë që e festojmë Vitin e Ri këtu. Por e festojmë së bashku si familjarë e si vëllezër… Natën e Vitit të ri çdo herë tri njësitë që disponojmë në Prishtinë por edhe të gjitha njësitë dhe brigadat e Kosovës që janë në kujdestari, kanë më së shumti punë dhe ndoshta ne ndonjëherë nuk mundemi të festojmë fare sepse qëndrojmë nëpër terrene me automjete duke u marr me incidente,” rrëfen ai.

Kurse incidentet më të shumta natën e Vitit të Ri, sipas Zenelit bëhen nga pakujdesia e qytetarëve me fishekzjarrë dhe ngarkesa të shumta në çarkun e energjisë elektrike.

“Incidentet më së shumti gjatë natës festive të Vitit të Ri vijnë prej fishekzjarrëve dhe prej ngarkesës së çarkut elektrik, që tani vjen deri te djegia e kabllove dhe trafove dhe ne jemi në gatishmëri të intervenojmë”, tha Zeneli.

Por pavarësisht këtyre sfidave, një zjarrfikës kënaqet edhe me gjëra shumë të vogla kur dikush prej instancave më të larta i viziton dhe i nderon ata në natën festive, ata ndihen shumë krenar dhe të lumtur.

Foto: Ymri Ukelli, zjarrfikës

“Por kënaqësinë më të madhe zjarrfikësit e kanë kur në natën e Vitit të Ri, shprehë gatishmëri dikush prej organeve të larta vjen na viziton këtu ne e ndjejmë vetën që e kemi dikë prapa neve dhe ndjehemi krenarë njëkohësisht.

Edhe pse ne e kemi një status ende të pazgjedhur qëndrojmë në mes të drejtorisë së AME-së dhe drejtorisë së Shërbimeve Publike”, tha Zeneli.

E për fund, ai ka edhe një thirrje për të gjithë qytetarët në natën e ndërrimit të viteve.

“E kam një mesazh për të gjithë qytetarët, ta festojmë në mënyrë sa më të dinjitoze të kemi kujdes më së shumti me të vegjlit dhe me fishekzjarrë, të kenë kujdes ku po i ndezin dhe si po i ndezin ato”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK