Sunday, June 26, 2022

Babai i Aldi Hoxhës: Jam i lumtur që njerëzit kanë filluar t’i pranojnë personat me Sindromën Down


Për të nderuar personat e prekur me Sindromën Down, 21 Marsi shënohet si ditë zyrtare nga Kombet e Bashkuara që nga viti 2012.

Kjo datë është përzgjedhur për shkak se personat e prekur nga kjo sindromë kanë një kromozom shtesë në kromozomin e 21-të.

E për nderë të kësaj dite, shoqata Down Syndrome Kosova ka organizuar një manifestim duke ekspozuar edhe punimet e anëtareve të shoqatës për ta shënuar ditën ndërkombëtare të tyre.

Aldi Hoxha 26 vjeçari nga Gjakova që momentalisht punon në linjat e trafikut urban në Prishtinë thotë se ndihet shumë i kënaqur në ditën e tij.

“Jam Aldi Hoxha, tanimë jam i punësuar në trafikun urban në Prishtinë. Urime 21 marsi dita e njerëzve me Sindromën Down, u uroj gjithë të mirat. Është dita ime unë u kënaqa shumë”, u shpreh Hoxha.

Me Aldin ndihet shumë krenar edhe babai i  tij Luan Hoxha.

Ai shprehet shumë i lumtur që njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen dhe të bashkëpunojnë me individët të cilët janë me këtë sindrom, duke i eliminuar kështu stigmatizimet.

“Unë po ndjehem shumë mirë sepse njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen dhe janë më të relaksuar. Po ashtu kanë filluar të bashkëpunojnë edhe me fëmijët me aftësi të kufizuara. Nuk mundem me pas kënaqësi më të madhe sesa tani kur njerëzit kanë filluar të sensibilizohen dhe kjo punë nuk është duke stagnuar si më herët. Ta rritësh një fëmijë me Sindromën Down është sfiduese por ndërkohë është edhe kënaqësi kur e sheh duke u zhvilluar dhe duke ecë përpara”, tha Hoxha.

Rendësin e kësaj dite e potencoi edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ai deklaroi që tashmë është në përfundim ndërtimi i shtëpisë për shoqatën e Down Syndrome Kosova.

“Ne kemi disa projekte të cilat tashmë janë në përfundim e sipër. Siç është ndërtimi i shtëpisë për Down Syndrome Kosova. Do të vazhdojmë edhe me ndihma të tjera dhe me subvencione që anëtarët e këtij komuniteti të jenë dhe të ndihen si pjesë e jona”, deklaroi Rama.

Në anën tjetër Teuta Gashi nga organizata Down Syndrome Kosova, tregoi se produktet të cilat janë punuar me shumë dashuri nga duart e anëtareve të shoqatës, do të shiten dhe të hollat e fituara do të përdoren për të kryer shërbimet e individëve me sindromë brenda shoqatës.

“Sot është 21 marsi Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down. Këto tezgat këtu kanë për qëllim që produktet të cilat shiten këtu të cilat janë të punuara nga anëtaret e shoqatës. Që pastaj këto të holla të sigurohemi që fëmijët në shoqatë të marrin shërbime”, tha Gashi.

Në bazë të të dhënave të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Kosovë brenda vitit lindin rreth 35-40 foshnja me Sindromën Down, ndërsa numri i përgjithshëm i individëve në Kosovë është mbi 920./Telegrafi/

Lajmet e fundit