Sunday, July 3, 2022

ANALIZË:  Bankat në përllogaritje – rritje e kamatave për kreditë dhe depozitat! (Infografik)

Një litër vaj gatimi 2.5 euro. Rritje festive e konsumit – por edhe rritje e çmimeve të produkteve ushqimore. Inflacioni do të vazhdojë të përshpejtohet. Pikërisht me këtë shpjegim, Banka Popullore bëri një hap “modest”, por të parë që tregon për një shtrëngim të politikës monetare. Bankierët thonë – janë duke u përllogaritur kamata më të larta për kreditë dhe depozitat, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kamatat do të rriten…

Pas hapit të ndërmarrë nga Banka Popullore për rritjen e përqindjes referente të interesit – ne si banka duhet t’i rrisim kamatat si për kreditë ashtu edhe për depozitat. Kjo është e rregulluar ligjërisht, që para dy vitesh kur BPRM-ja vendosi një rregullore me të cilën kamatat për depozitat dhe kreditë duhet të jenë të ndryshueshme – të lidhura me kamatën referente, sqarojnë bankierët për “Portalb”-in.

“Rritja e kamatës referente nuk është e vogël, ajo është për 20% në krahasim me kamatën e mëparshme të bonove të thesarit të BPRM-së. “Automatikisht edhe ne duhet t’i rrisim kamatat si për depozitat ashtu edhe për kreditë sepse kjo është në përputhje me rregulloren” – tha menaxheri i një banke.

Kamata fikse kanë kryesisht kreditë afatshkurtra për kompanitë, kurse kamatë fikse, por vetëm në një periudhë të caktuar, kanë edhe kreditë për banesa, kreditë tjera, ato konsumatore, kartat e kreditit, të gjitha janë me kamata të ndryshueshme dhe mu ato do të kenë rritje të kamatave, shpjegojnë bankierët.

Banka Popullore ka vendosur ta rrisë kamatën bazë të bonove të thesarit për shkak të rritjes së inflacionit.

“U vendos që të rritet përqindja e kamatës për bonot e thesarit për 0,25 për qind, kryesisht si përgjigje parandaluese ndaj pritjeve për rritje të inflacionit, në kushtet e vlerësimeve të përmbajtura për mungesën e presioneve më të theksuara nga kërkesa e brendshme dhe rreziqeve rënëse ndaj saj në periudhën e ardhshme” – njoftuan nga BPRM-ja.

Sipas ekonomistëve të konsultuar nga “Portalb”-i, rritja e kamatës bazë për bonot e thesarit është e ulët, por lë të kuptohet se do të vijojë një periudhë në të cilën “paratë do të shtrenjtohen”.

“Kjo është rritja e parë e përqindjes referente të kamatës pas shumë vitesh, andaj janë legjitime diskutimet dhe frika nëse kjo do të nxiste rritje të kamatave të bankave në pjesën e kredive dhe depozitave. Qëndrimi im është se nuk pres lëvizje në atë drejtim menjëherë, për të paktën dy arsye. Së pari, shtrëngimi i politikës monetare është shumë i vogël, vetëm 25 pikë bazë dhe me atë korrigjim politika monetare mbetet edhe më tej në zonën akomoduese, gjegjësisht niveli i ri prej 1.5% është ende më i ulët se niveli që kishim përpara pandemisë. Së dyti, vëllimi i bonove të thesarit ka mbetur i pandryshuar në 10 miliardë denarë, që do të thotë se nuk ka shtrëngim mbi këtë bazë, gjegjësisht nuk ka pothuajse asnjë efekt në likuiditetin e sistemit bankar. Kjo është e logjikshme, sepse qëllimi i shtrëngimit monetar është qetësimi i pritjeve inflacioniste, gjegjësisht synimi është të veprojë si sinjal, e jo të ulet kërkesa sepse presionet në atë anë nuk ekzistojnë fare. Përkundrazi, janë të shprehura rreziqet e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik” – thekson profesori universitar Marjan Petreski dhe shton:

“Megjithatë, duhet të kihet parasysh se këto rreziqe shoqërohen me presione çmimesh kryesisht nga ndryshimet gjeopolitike dhe veprimet ushtarake në Ukrainë, të cilat do ta ngushtojnë më tej hapësirën për politikën monetare akomoduese”. Kjo do të thotë se edhe koha e kamatave të ulëta ka mbaruar dhe tendencat do të jenë në drejtim të rritjes së kamatave, duke i përfshirë edhe ato të kredive. Qytetarët dhe kompanitë duhet t’i kenë parasysh këto rrethana, veçanërisht kur vendosin për huamarrje afatgjatë nga bankat me një kamatë që nuk është fikse.

Kamatat më të larta – shtytje për rritjen e kursimeve, por huamarrje të kufizuar kreditore…

Disa ekspertë thonë se hapi për rritjen e përqindjes referente të kamatës për bonot e thesarit synon edhe një qëllim tjetër – stimulimin e kursimeve, veçanërisht të qytetarëve. Por nga ana tjetër, rritja e çmimeve të kredive do ta ngadalësojë aktivitetin kreditues, gjegjësisht do ta rrisë përmbajtjen nga marrja e kredive të reja.

“Ndryshe është situata me depozitat e kompanive ku vërehet se për shkak të kostove më të larta të punës, shtrenjtimit të energjisë elektrike, transportit, ato i shpenzojnë kursimet e tyre për të qenë në gjendje të punojnë. Sektori privat përballet me probleme likuiditeti dhe ato probleme i zbusin duke i shpenzuar rezervat apo depozitat e tij” – sqaruan bankierët.

Tashmë është e sigurt se bankat janë duke përllogaritur kamata të reja, më të larta, si për kursimet, ashtu edhe për kreditimin. Në fillim të vitit, përkatësisht në muajin janar, përqindjet e kamatave të kredive të përgjithshme për amvisëritë dhe ndërmarrjet nuk kanë ndryshuar në krahasim me muajin paraardhës, dhe ishin 5,2% dhe 3,5%, ndërsa kamatat janë rritur për kreditë e miratuara rishtazi për ndërmarrjet dhe amvisëritë.

Lajmet e fundit

BEG-ut i merren të gjitha licencat, Bekteshi e mban premtimin

Ashtu siç kishte paralajmëruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, BEG nga tetori nuk do t’i ngrohë më shkupjanët. KRE i mori të gjitha licencat e...

Fillon rregullimi, tamponimi dhe pastrimi i kanaleve në fshatin Dvorcë

Komuna e Pllasnicës sot ka nisur me rregullimin, tamponimin dhe pastrimin e kanaleve si dhe aktiviteteve të tjera në fshatin Dvorcë, kështu njofton kreu...

Miliona denarë nga arka e Studeniçanit shkojnë për shokun e afërt të Azem Sadikit!?

“Eling Dooel Uvoz-Izvos Skopje”, është kjo kompania më e preferuar e Komunës së Studeniçanit.Kjo kompani është ajo që fiton pothuajse çdo tender nga kreu...