Saturday, January 22, 2022

Afrim Muçiqi e quan të dështuar vitin 2021 për estradën: Të diskriminuar dhe dëme të mëdha që nuk kompensohen për dhjetë vite


Sektori i gastronomisë edhe në vitin 2021 është një nga veprimtaritë që i ka ndjerë më së shumti efektet e pandemisë.

Për shkak të parandalimit të përhapjes së coronavirusit, në vitin e kaluar pati dilema të mëdha nëse do të lejohen dasmat e ahengjet, që natyrshëm do të kishte edhe një ndikim zinxhiror, e që njëkohësisht bënë që estrada të konsiderohen më të diskriminuarit krahas fushave të tjera.

Njëri ndër artistët më të zëshëm në këtë situatë epidemiologjike nuk ka dyshim se ishte Afrim Muçiqi, si përfaqësuesi i departamentit të estradës në Odën e Hotelerisë.

Afrim Muçiqi (Foto: Telegrafi)

Në një intervistë për Telegrafin, Muçiqi tregon sfidat që estrada ka hasur gjatë gjithë kësaj kohe, për ndihmat që iu ofruan nga shteti e po ashtu edhe për padrejtësitë që iu bënë.

Në vitin 2021 keni qenë një prej artistëve më të komentuar në estradë, si e përkufizoni këtë vit?

“Viti më i keq për shkak të pandemisë është fjala për arsye se edhe ne si i gjithë globi jemi përballur, faktikisht është viti i dytë por me shpresën që vitin që po e fillojmë ishalla qoftë e kaluar siç thotë populli. Sa i përket asaj që kam qenë më i përfoluri është mëse e vërtetë pasi kam qenë më aktiv për arsye se prej natyrës kur unë marrë një obligim që ta përfaqësoj dikë atëherë nuk e marrë vetëm sa për sy e faqe, por mundohem që atë besim që ma kanë dhënë baza, shtatë regjione të Republikës së Kosovës duhet ta çoj deri në fund”.

Meqenëse edhe sivjet ishim të përfshirë në pandemi dhe në fillim të vitit edhe veprimtaria juaj ishte e kufizuar, si u pritën këto masa nga ana e juaj? A jeni ndjerë të diskriminuar?

“Jemi të diskriminuar dhe është përdorur siç e kam thënë gjatë gjithë kohës standarde të dyfishta sidomos ndaj nesh, për arsye se të gjitha sektorët tjerë kanë punuar, ndërsa i vetmi sektor që nuk ka punuar është sektori ynë, sektor i cili ka punuar në shtetet fqinje. Gabimi më i madh ka qenë që mos menaxhimi i mirë i pandemisë, i vendosjes së masave ka ndikuar që qytetarët tanë të shkojnë edhe në shtetet fqinje, si në shtetin tonë amë Shqipëri si në Maqedoni si në Mal të Zi, si në Preshevë do të thotë në Luginë atje ku janë shqiptarët. Mendoj që është një gabim i radhës për arsye se është dashur që ato mjete ato para të mbesin në Kosovë, pastaj të mendojmë edhe për fqinjët tanë”.

Afrim Muçiqi (Foto: Telegrafi)

Megjithatë, në krahasim me 2020 gjatë verës u lejua mbajtja e dasmave e ahengjeve të ndryshme, në sa dasma ke qenë i përfshirë gjatë kësaj kohe?

“Ka qenë një mini-sezon shumë e vogël, për arsye se kemi filluar diku nga fundi i korrikut dhe faktikisht më 18 gusht vetëm është mbyllur. Është mbyllur me një arsye të vetmen sepse situata doli nga kontrolli ka qenë një momentum ndryshe sepse në atë kohë kanë qenë vetëm 12.8 për qind të popullatës të vaksinuar dhe nuk ka pasur vaksina, shteti në atë kohë nuk ka qenë në gjendje që të gjejë vaksina të mjaftueshme që ta vaksinojë popullatën sepse po thuhej se dy vaksinat nuk janë shëruese, por sado pak na mbrojnë na ky virus kjo po shihet edhe në gjithë globin, por në atë kohë do të thotë po flasim për një momentum i cili ka qenë me 12.8 për qind të popullatës së vaksinuar ndërsa tani kemi mbi 70 për qind do të thotë të popullatës së vaksinuar, kemi filluar edhe me fazën e tretë, mendoj që edhe njerëzit ngadalë e kanë kuptuar sepse duhet cekur që edhe ne si odë si estradë kemi qenë shumë të zëshëm në sensibilizimin edhe në fushatën për pro vaksinimit të popullatës. Mendoj që njerëzit vetëm kanë filluar të vetëdijesohen, faktikisht i kanë marrë vaksinat edhe tani siç po thotë i gjithë globi duhet të mësohemi e të jetojmë me këtë virus, duhet edhe ne të mësohemi normalisht të vazhdojmë jetën, jo në kushte normale por më masat që vendosen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë”.

A ka fituar mjaftueshëm Afrimi sivjet, për ta kompensuar edhe me atë të vitit 2020?

“Edhe në dhjetë vite nuk ka shanse të kompensohet jo vetëm Afrimi, por asnjë anëtar i estradës, as i bizneseve tjera. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha si në aspektin financiar, dëmi më i madh është në aspektin e ‘timing’-ut, po mendoj në caktimin e datave sepse kanë mbetur datat e hapura, duhet ta dallojmë një gjë nëse kemi një mbrëmje të thjeshtë ajo mund të prenotohet për një ditë tjetër, ndërsa dasma është datë e shenjtë dhe nuk mund të ndryshohet bash kush dhe kujt t’i teket në çdo kohë, kështu që kanë mbetur shumë të hapura dhe humbja më e madhe është ajo”.

Menjëherë pas verës dhe lejimit të sektorit të gastronomisë, u rrit dukshëm numri i rasteve pozitive, ishit shkaktar ju si sektor apo lejimi në masë të madhe i ahengjeve?

“Kur flasim për një momentum për 12.8 për qind, ndërsa tani po flasim për një 70 për qind, në qoftë se veç ekziston rreziku që po shihet se ekziston nga tubimet e ndryshme atëherë rreziku shumë minor, shumë i vogël është në ahengje familjare për arsye se njerëzit njihen në mes vete ndërsa rreziku më i madh është në tubime politike, i tubimeve nëpër sheshe, nëpër oda nëpër podrume, nëpër lokale të ndryshme pa pikë distance, mendoj që aty është vendi dhe në fund të fundit zyrtarisht mund të them që gjatë gjithë kësaj kohe asnjë sallë e dasmës nuk është mbyllur zyrtarisht nga organet shtetërore në qoftë se ka pasur ndonjë burim infeksioni apo diçka tjetër, bile bile kemi qenë aq shumë të anashkaluar e të diskriminuar qe me ligj sallat e dasmave janë përdorur nga të gjitha partitë politike pa dallim për fushata politike, këtë gjë e ka thënë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë si fajtor kryesor në atë kohë për përhapjen e virusit janë të gjitha partitë politike pa dallim të cilat kanë shfrytëzuar sallat e dasmave të ndaluara, unë nuk po e shpiku këtë e ka thënë ambasadori e dimë të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë qenë nëpër fushata, është e drejtë të shkojnë nëpër fushata mirëpo nëse lejohet të shkohet nëpër fushata e tubime të ndryshme pse të ndalohen ahengjet familjare, ku është logjika, mirëpo kjo është pastaj ka qenë një fluks i madh i mërgatës tonë të nderuar që kanë ardhur gjatë gjithë verës edhe normalisht që mos prezenca apo mos dhënia e vaksinave, mos menaxhimi i mirë i pandemisë ka ardhur deri te kjo”.

Afrim Muçiqi (Foto: Screenshot/YouTube)

Në anën tjetër, ju ishit më pak aktiv me këngë e projekte muzikore? Çfarë realizoi Afrimi më saktësisht?

“Përkundër kësaj, unë mendoj që vitin që e lamë pas kam realizuar ndoshta më së shumti se dhjetë vitet e fundit sepse kemi qenë të papunë në aspektin profesional dhe kemi punuar për projekte të ndryshme të Vitit të Ri ku do të jem prezent në të gjithë emisionet e televizionet tona dhe shumë projekte të tjera me duete bashkëpunime etj”.

A keni marrë ndonjë ndihmë nga shteti gjatë kësaj periudhe pandemie?

“Absolutisht jo, përkundrazi kemi qenë shumë të ofenduar po flas për veten time kam pasur një telefonatë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe thotë që përse nuk keni aplikuar për një ndihmë që jep Komuna e Prishtinës për vitin 2020 dhe unë vetëm e pyeta kot sa është ajo ndihmë, për vitin 2020 janë vetëm 50 euro, është ofenduese për një artist dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës jo vetëm për neve sepse të thirret një person një qytetar i thjeshtë në këtë rast unë dhe t’i thuhet që nuk ke aplikuar për 50 euro ndihmë për gjithë vitin 2020 është ofendimi më i madh që mundet me iu bë qytetarit të këtij vendi”.

Duke qenë se ishit shumë të angazhuar e të përfolur në media, a ju pengojnë komentet që iu bëhen qoftë pozitive e po ashtu edhe ato negative?

“I urrej jashtëzakonisht shumë lajmet e rreme edhe titujt bombastik kur në fakt në thelb pastaj është krejt diçka tjetër. I dua shumë komentet negative sepse aty e shoh nivelin e familjes atyre që shkruajnë nivelin e rrethit ku jetojnë, me të thënë të drejtën shumë pak i lexoj por ndonjë aty këtu e lexoj, njeriu duhet të jetë burrë apo gruaja grua edhe të shpreh atë që mendon, ka të drejtë secili për ta shprehur mendimin e vet, mirëpo një njeri kushdo qoftë ai edhe nëse është familjar i imi nuk ka problem por me profile të rrejshme edhe pse iu është dhënë mundësia të komentojnë besom që absolutisht nuk më qojnë peshë shumë. Edhe këtu nuk të duan të gjithë, nëse të duan të gjithë është fundi i jetës përfundon gjithçka. I dua ata shumë që nuk më duan sepse nuk kisha dashur në jetën time të më duan të gjithë sepse bota atëherë nuk do të ishte interesant. Duhet të jemi të sinqertë që secili të flas për profesionin e vet nuk është personale. Unë përfaqësoj dikë nëse unë e marr për obligim duhet ta bëjë denjësisht. Në emër të estradës nuk kam kërkuar asgjë, shumë e thjeshtë o ndaloni të gjithë ose punoni të gjithë, arsye tjetër këtu nuk ka”.

Cili është mesazhi apo porosia që do ta transmetoje për lexuesit e Telegrafit?

Ishalla na ruan Zoti të gjithëve, në familjet tona, në lagjen tonë në fshatrat tona dhe kudo që janë shqiptarët, uroj mbarësi bashkim të gjitha forcave si politike, ekonomike, kulturore, sportive kombëtare për t’ia arritur një qëllimi të përbashkët. Ishalla na ruan Zoti nga kjo pandemi, unë edhe një herë të gjithë atyre në mesin e tyre kam qenë edhe unë me gjithë familjen time të infektuar, të gjithë atyre shërim sa më të shpejt ndërsa ngushëllimet e mia shumë për të gjithë ata që kanë humbur jetën nga kjo pandemi. Dashtë Zoti që mos të përsëritet më asnjëherë. /Telegrafi/

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK