Sunday, June 26, 2022

10 vjet nga fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave – shtetet e rajonit morën liberalizmin për më pak se katër vjet


Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë.

Edhe pas 10 vjet prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave, Kosova vazhdon të jetë e izoluar ndonëse Komisioni Evropian vite më parë rekomandoi liberalizimin e vizave pasi shteti ka përmbushur kriteret.

Franca dhe Holanda janë dy vendet skeptike për liberalizimin e vizave, ndërsa Franca nga janari i 2022-së për gjashtë muaj mban presidencën e radhës të BE-së

Në një postim në Facebook, instituti Epik shkruan se më 19 janar 2012, Kosova dhe BE-ja kanë filluar dialogun për liberalizimin e vizave.

“Sot bëhen 10 vite që nga lansimi i dialogut”, thuhet më tej, shkruan Telegrafi.

Në infografikë, EPIK ka krahasuar kohëzgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave të Kosovës me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.

Nga infografikë shihet se Kosova është vendi i vetëm që procesi i liberalizimit të ketë zgjatur kaq shumë.

Procesi i liberalizimit të vizave nga fillimi i dialogut për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën ka zgjatur nga katër vite, për Shqipërinë dhe Bosnjën tri vite.

Ndërkaq, nga dy vite ka zgjatur për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Megjithatë, disa nga njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane, deklarojnë se Kosova mund të ketë liberalizim të vizave gjatë vitit 2022, pasi Franca ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, në një deklaratë për Telegrafin kishte thënë se mund të ketë lëvizje pozitive sa i përket vizave gjatë vitit 2022.

“Në kuptimin procedural nuk ka ndonjë diferencë të madhe, sepse sikur Franca edhe vendet e tjera kanë të njëjtin pozicion, udhëheqin presidencën e këshillit. Ndërsa, duke pasur parasysh specifikat që ka prezantuar Franca, deri më tash është e besueshme që mund të ketë lëvizje pozitive në atë drejtim. Sepse Franca dihet që deri tani ka qenë penguese e këtij procesi bashkë me ndonjë vend, jo të ndonjë rëndësie të madhe politike”, është shprehur ai.

Mendim ndryshe sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave ka profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku.

Mazreku ka thënë se nuk pret që Franca të fus në agjendë çështjen e liberalizmit të vizave, së paku në 6 muajt e parë të vitit 2022.

“Dihet që agjenda e Bashkimit Evropian përcaktohet nga trojka e Bashkimit Evropian, ashtu quhet pra, që nënkupton nga shteti që aktualisht e ka presidencën e radhës së BE-së. Franca është një nga shtetet më decidive të themi në përcaktimin e agjendës së BE-së, përkatësisht të Këshillit Evropian, për temat që do të trajtohen. Mund të konsiderohet po ashtu që këtë vit Franca futet në zgjedhje presidenciale dhe normalisht presidenti aktual Emmanuel Macron (është njëri nga kandidatët potencialë për tu rizgjedhur si president) të marrë parasysh që politika e kufijve të hapur nuk është temë popullore. Nuk pres që Franca do ta forcojë idenë e futjes në agjendë të çështjes së liberalizimit të vizave për së paku në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, potencoi ai.

Mazreku thotë se derisa Franca të përfundojë zgjedhjet presidenciale i afrohemi edhe fundit të kryesimit të saj në BE. /Telegrafi/

Lajmet e fundit