Monday, November 29, 2021

​40 burra nga Kosova kanë dokumentuar dhunën seksuale gjatë luftës së fundit


Dhunimi seksual i 40 burrave nga Kosova gjatë luftës së fundit tashmë po njihet ligjërisht nga shteti i Kosovës. Ata dhe 968 gra të tjera kanë dokumentuar dhunën seksuale që kanë përjetuar para më shumë se dy dekadash. Për tri vjet, mbi një mijë persona kanë arritur të fitojnë statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe për të përfituar pagesën mujore prej 230 eurosh. Në mesin e tyre, ka gra e burra që kanë refuzuar të marrin pensionin, por që këta të mbijetuar kanë kërkuar vetëm të dokumentojnë tmerrin që kanë përjetuar.

Kryetarja e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj-Balaj thotë se procesi i verifikimit të të gjitha lëndëve të dorëzuara është i ndjeshëm dhe i vështirë.

Në intervistën për kp thotë se prej kur ka filluar punën ky komision janë paraqitur mbi 1500 raste.

“I kemi 1565 raste që kanë aplikuar për t’u njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale. Prej tyre të trajtuara i kemi 1008 raste që u kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale. Ky numër është edhe i përfshirë në pensionin mujor personal në vlerë prej 230 eurosh. Prej tyre në përgjithësi të trajtuara deri më tani janë 1280. Kemi përafërsisht diku deri në 50 raste janë në pritje në shqyrtim që presin për dokumente shtesë, për intervista. Kemi edhe një numër të refuzuar, 219 raste janë të refuzuara. Por, te pjesa e refuzimeve i kemi edhe kërkesat për rishqyrtim edhe kërkesat që po shkojnë me padi në gjykatë”, thotë ajo.

Pranë komisionit të përbërë nga nëntë panelistë gjatë këtij viti janë paraqitur dosjet e 74 personave.

Udhëheqësja e këtij komisioni me mandat pesëvjeçar, shprehet se prioritet kanë që palët të trajtohen me kujdes dhe të paraqiten nevojat e të mbijetuarve. Sipas saj, ka lëndë që trajtohen deri në katër herë, para se të merret vendimi për këtë rast.

“40 burrave ua kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale, pjesa tjetër është gra. Për këtë vit ne i kemi pasur deri më tani 73 raste që kanë aplikuar. Ne jemi të vetëdijshëm që pandemia ka ndikuar në çdo sferë, edhe në këtë pjesë te komisioni, edhe te aplikimet. Në vitin e kaluar e kemi pasur atë pengesën që kemi qenë të obliguar sipas vendimeve të qeverisë. Më pastaj e kemi pasur një zbritje, por ka qenë afektim i pandemisë. Nuk kemi pasur rritje apo ulje drastike, ka qenë një tempo e njëjtë që ka mund të vijë gjatë muajve”, shprehet Begaj-Balaj.

Përkundër që një pjesë e viktimave kanë arritur të dokumentojnë dhunimin që kanë përjetuar, ata kanë refuzuar të marrin pagesën mujore.

“Kemi disa raste, nuk janë shumë raste, por kemi raste që disa të mbijetuara kanë ardhur të aplikojnë vetëm të tregojnë ajo që ka ndodhur. Dhe e thonë shumë hapur, e shprehin para neve që ‘nuk kam nevojë për mjete financiare, nuk kamë nevojë për asnjë. Kam ardhur të tregoj dhe me mbet kjo gjurmë dhe kjo vuajtje që na ka ndodhë’. E paraqet edhe me atë që aq ka mundur të bëjë, të vijë deri në komision, të fitojë të drejtën e viktimës por nuk i interesojnë mjetet financiare”, deklaron ajo për kp.

Komisioni për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale nuk ka hapur ende rrëfimet e mbi 280 personave.

“Deri më tani lëndë të pahapura i kemi 286 raste. Por, që në javën tjetër mund të na zbres ky numër apo të rritet. Varet çka ne pranojmë, apo çka ne lëshojmë vendime”, deklaron ajo.

Trajtimi i këtyre rasteve po konsiderohet i vështirë, meqë rrallë viktimat posedojnë dokumentacionet e nevojshme që kërkon ky komision.

“Problemet janë të ndryshme, tash së fundmi që po e evidentojmë më së shumti është çështja e stigmës. Kanë probleme burrat dhe gratë për një arsye apo tjetër që t’i drejtohen komisionit. Në fillim ka qenë ndryshe sepse muajt e parë ne e kemi pasur një volum shumë të madh të lëndëve. Diku për muajt e parë 700 lëndë na kanë ardhur për aplikim, por kanë qenë raste që kanë qenë të trajtuara nëpër OJQ. Tash jemi në vitin e tretë dhe po e shohim që ka probleme të dokumentimit, të narracionit janë 20 vjet në pyetje. Gjërat janë harruar dhe nëse ka pasur kontrolle, dokumentet nuk janë ruajtur. Edhe nëse kanë pasur dëshmitarë, tash nuk vjen dëshmitari të konfirmojë apo të jap një deklaratë”, shprehet ajo.

Afati i fundit për të paraqitur kërkesën për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale është pesë vjet nga fillimi i punës së komisionit. Ky komision Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.

Lajmet e fundit
MARKETING I PAGUAR POLITIK